“Bashkia Himarë shpërdoron fondet publike: Rruga e re nuk zgjati as 3 muaj”

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 18.01.2026, 20:20

Një situatë tejet shqetësuese po denoncohet nga banorët e fshatit Terbaç, në lidhje me rrugën që lidh këtë komunitet me aksin kryesor Vlorë–Kuç. Rruga, e cila është ndërtuar së fundmi nga shteti, ka nisur të degradojë në mënyrë alarmante vetëm pak muaj pas përfundimit të punimeve nga Bashkia e Himarës.

Sipas banorëve, problemi kryesor lidhet me cilësinë skandaloze të punimeve, veçanërisht te kanalet anësore të kullimit të ujërave. Betoni i vendosur përgjatë rrugës nuk është bërë me çimento siç duhet dhe është aq i dobët, sa shkatërrohet me dorë ose me një goditje të lehtë me majën e këmbës, duke krijuar gropa. Banorët e konsiderojnë këtë një turp dhe vjedhje të hapur me fondet publike.

Ndërkohë, asfalti i rrugës ka filluar të shkulet brenda tre muajsh nga reshjet e shiut, pasi uji grumbullohet në anë të rrugës për shkak të mungesës së një sistemi funksional kullimi.

Të revoltuar nga kjo situatë, banorët organizuan një protestë dhe publikuan video, ku shihin përfaqësues të bashkisë që, sipas tyre, vetëm “bënin sikur po jepnin shpjegime” dhe premtuan se rruga do të rregullohej. Pas presionit publik, janë ndërhyrë disa pjesë të rrugës duke u gërryer me makineri, por një pjesë e madhe e segmenteve problematike kanë mbetur të paprekura, ndërsa dëmtimet vazhdojnë.

Banorët kërkojnë një ndërhyrje serioze dhe të plotë, jo rregullime sipërfaqësore, si dhe transparencë mbi fondet e harxhuara dhe firmën që ka kryer punimet. Ata shprehen se kjo rrugë është jetike për fshatin dhe nuk mund të pranohet që të shkatërrohet kaq shpejt, duke rrezikuar edhe sigurinë e qarkullimit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit