Kolumbi: Përplasje të dhunshme mes fraksioneve guerile në luftën për territor, të paktën 27 të vrarë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 18.01.2026, 18:16

Të paktën 27 anëtarë të një grupi gueril të majtë në Kolumbi janë vrarë pas përplasjeve me një fraksion rival, në një luftë për kontrollin e një zone xhungle në jugperëndim të vendit, bëjnë me dije burime ushtarake.

Ngjarja ka ndodhur në zonën rurale të bashkisë El Retorno, në departamentin Guaviare, rreth 300 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit Bogota. Sipas autoriteteve, bëhet fjalë për përplasjet më të dhunshme të muajve të fundit në këtë rajon.

Zona konsiderohet strategjike për prodhimin dhe trafikun e kokainës. Përplasjet kanë ndodhur mes dy fraksioneve të ish-grupit gueril FARC: njëri i udhëhequr nga Néstor Gregorio Vera, i njohur me nofkën “Iván Mordisco”, dhe tjetri nga Alexander Díaz Mendoza, alias “Calarcá Córdoba”.

Të dy grupet kishin qenë pjesë e të ashtuquajturit “Shtabi i Përgjithshëm Qendror”, por u ndanë në prill të vitit 2024 për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme. Sipas burimeve ushtarake, të 27 viktimat i përkasin grupit të drejtuar nga Vera. Një drejtues i fraksionit të Mendozës e ka konfirmuar gjithashtu bilancin e viktimave për agjencinë Reuters.

Fraksioni i udhëhequr nga Díaz Mendoza është aktualisht i përfshirë në bisedime paqeje me qeverinë e presidentit Gustavo Petro, ndërsa grupi i Vera-s vijon përplasjet e armatosura, pasi autoritetet kanë pezulluar armëpushimin dypalësh me ta.

Të dyja këto fraksione kishin refuzuar marrëveshjen e paqes të vitit 2016, e cila i dha mundësi rreth 13 mijë anëtarëve të FARC-ut të dorëzonin armët dhe të riintegroheshin në shoqëri. Konflikti i armatosur në Kolumbi, që zgjat prej më shumë se 60 vitesh dhe financohet kryesisht nga trafiku i drogës dhe minierat ilegale, ka shkaktuar mbi 450 mijë viktima dhe miliona të zhvendosur, ndërsa përpjekjet aktuale për paqe mbeten të bllokuara.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit