Banorët e lagjes Sinoballa, nr. 4, në Kamëz, kanë ngritur shqetësimin për gjendjen e rrugës, e cila prej rreth katër muajsh është lënë përgjysmë nga Bashkia Kamëz. Sipas tyre, është shtruar vetëm gjysma e rrugës, ndërsa pjesa tjetër ka mbetur me baltë dhe zhavorr, duke u bërë e pakalueshme sidomos gjatë reshjeve të shiut. Banorët shprehen se detyrohen ta rregullojnë vetë me shpenzimet e tyre, edhe pse paguajnë taksa.
Qytetarët thonë se kanë bërë ankesa të shumta pranë bashkisë Kamëz me kryetar Rakip Sulin, por pa asnjë zgjidhje konkrete, ndërsa janë mashtruar me premtime se rruga do të asfaltohej më 20 dhjetor. Edhe pse ka kaluar 20 janari, punimet nuk kanë përfunduar, duke e bërë jetën e përditshme të vështirë për banorët, fëmijët dhe automjetet që shpesh mbeten të bllokuara.
"Përshëndetje JOQ! Dua të bëj një denoncim për Bashkinë Kamëz. Në lagjen Sinoballa, nr. 4, punimet në rrugë kanë nisur prej rreth 4 muajsh dhe janë lënë përgjysmë. Është shtruar vetëm gjysma e rrugës, ndërsa pjesa tjetër ka mbetur me baltë dhe zhavorr, duke u bërë e pakalueshme, sidomos kur bie shi. Banorët detyrohen ta rregullojnë vetë me lekët e tyre, edhe pse paguajmë taksa, ndërsa makinat mbeten në servise dhe fëmijët shkojnë në shkollë mes baltës. Kemi shkuar disa herë në bashki për t’u ankuar, por nuk kemi marrë asnjë zgjidhje. Na kanë premtuar se rruga do të asfaltohej më 20 dhjetor, por edhe pse ka kaluar 20 janari, asgjë nuk është bërë. Situata po na e vështirëson shumë jetën dhe nuk dimë më ku të drejtohemi", shkruan qytetari.