Call Center-at në kullën “Atti”, SPAK: Pronarët u paralajmëruan dhe tentuan të zhdukin provat

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 18.01.2026, 14:40

SPAK ka dhënë një pasqyrë të detajuar mbi mënyrën se si u dekonspirua operacioni kundër Call Center-ave mashtrues në Tiranë, duke konfirmuar se pronarët dhe drejtuesit e aktivitetit të paligjshëm janë paralajmëruar paraprakisht për një kontroll të mundshëm. Sipas Prokurorisë së Posaçme, Call Center-i kryesor operonte në godinën “Atti Tower”, në rrugën “Ibrahim Rugova”, pranë Katedrales Ortodokse, dhe ishte nën hetim për mashtrimin e shtetasve italianë përmes platformave të rreme të investimeve në kriptomonedha.

Hetimet, të nisura më 9 janar 2026 pas provave të dorëzuara nga gazetarët e emisionit italian “Le Iene” dhe denoncimeve të qytetarëve italianë, zbuluan se drejtuesit e Call Center-it kishin vendosur kamera sigurie dhe persona për vëzhgim të vazhdueshëm të ambienteve, për të sinjalizuar çdo rrezik. SPAK thekson se mbrëmjen e 15 janarit 2026, pasi dyshohet se morën informacion për një ndërhyrje të afërt, drejtuesit boshatisën zyrat, hoqën pajisjet kompjuterike dhe nisën zhvendosjen e tyre gjatë natës, duke tentuar të fshihnin provat e aktivitetit kriminal.

Në orët e para të 16 janarit 2026, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kapën 6 persona në flagrancë teksa transportonin pajisje drejt një ambienti tjetër në godinën “Downtown One”, në Bulevardin “Bajram Curri”, ku një pjesë e pajisjeve po tentoheshin të asgjësoheshin. Më pas, SPAK ndaloi edhe 2 persona të tjerë dhe shpalli në kërkim 3 të dyshuar, mes tyre vëllezërit Alfred, Agim dhe Arjan Prekaj, ku Alfred Prekaj rezulton pronar i kompanisë “Balkanspro”. Gjatë kontrolleve në 28 ambiente janë sekuestruar qindra pajisje kompjuterike, serverë, telefona, laptopë, karta SIM, dokumente, kamera sigurie, automjete dhe një Ferrari, ndërsa SPAK po heton intensivisht për të zbuluar se kush e dekonspiroi operacionin dhe nëse ka persona apo struktura të përfshira në nxjerrjen e informacionit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit