Një situatë alarmante u regjistrua këtë të shtunë në fshatin Spatharë, Njësia Administrative Qendër, Bashkia Librazhd, ku rrëshqitje masive të tokës shkaktuan dëme të konsiderueshme në banesa dhe infrastrukturë. Sipas burimeve nga terreni, lëvizjet e para të dheut u vunë re dje rreth orës 14:30, ndërsa rreth një orë më vonë fenomeni u riaktivizua me intensitet më të madh, duke zhvendosur sipërfaqe të tëra toke dhe duke krijuar panik te banorët e zonës.
Në orët e vona të pasdites, situata u përkeqësua ndjeshëm, kur rrëshqitja përfshiu një bllok të tërë banimi, kryesisht në Lagjen Hoxha. Sipas Emergjencave Civile, dhjetëra shtëpi kanë pësuar dëmtime të lehta, ndërsa shtatë banesa janë dëmtuar rëndë dhe konsiderohen të pabanueshme. Zona pranë ish-depos së furnizimit me ujë të qytetit të Librazhdit mbetet ndër më të rrezikuarat, duke shtuar frikën për ndërprerje shërbimesh dhe rrezik për jetën e banorëve.
Banorët e Spatharës kanë kritikuar institucionet vendore për mungesë masash parandaluese, duke theksuar se rrëshqitjet janë një problem i përsëritur prej vitesh.