Një 52-vjeçare nga Armenia, e identifikuar me inicialet L. H., është arrestuar në flagrancë nga Policia e Durrësit, pasi dyshohet se organizonte dhe shfrytëzonte prostitucionin, duke përfshirë edhe një 22-vjeçare nga Peruja. Operacioni u zhvillua në zonën e Vollgës dhe ishte pjesë e fazës së 13-të të operacionit policor të koduar “STORM”, pas një hetimi dyjavor të kryer me metoda speciale hetimi nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, L. H. dyshohet si organizatore e aktivitetit të paligjshëm dhe akuzohet për veprat penale “Prostitucioni” dhe “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”. Gjatë operacionit u procedua penalisht edhe 22-vjeçarja nga Peruja, si dhe tre shtetas të tjerë banues në qarkun Durrës, për veprën penale “Prostitucioni”. Autoritetet nuk bënë publikë emrat e personave të proceduar, për shkak të hetimeve në vijim.
Nga hetimet rezultoi se shtetaset e huaja kishin marrë me qira dy apartamente, një në zonën e Vollgës, lagjja nr. 1, dhe një tjetër në zonën e Plazhit, lagjja nr. 13, të cilat ishin përshtatur për ushtrimin e prostitucionit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy pasaporta të shtetaseve të huaja, shuma parash, karta telefoni, blloqe shënimesh dhe sende të tjera që lidhen me aktivitetin kriminal. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme ligjore.