Referencat e reja nga 2026 rrisin kostot e ndërtimit dhe çmimet e banesave

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 18.01.2026, 10:05

Çmimet e reja të referencës për pasuritë e paluajtshme në rrethe do të hyjnë në fuqi më 1 janar 2026, duke sjellë rritje të konsiderueshme të kostove për subjektet ndërtuese. Sipas Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, kjo rritje do të reflektohet drejtpërdrejt në shtimin e detyrimit për taksën e ndikimit në infrastrukturë dhe, rrjedhimisht, në shtrenjtimin e çmimeve të apartamenteve.

Ndikimi pritet të jetë më i fortë në zonat bregdetare, ku rritja e çmimeve të referencës në disa raste arrin deri në 196%, si në zonën e Portit të Durrësit. Rritje të larta regjistrohen edhe në Vlorë, Sarandë, Himarë dhe Qerret, duke e bërë ndërtimin më të kushtueshëm dhe duke shtuar presionin mbi çmimet finale të shitjes.

Paralelisht, kërkesa në rritje nga blerësit e huaj pritet të vijojë të mbajë tregun e bregdetit aktiv deri në vitin 2030, me rritje vjetore të çmimeve nga 4% deri në 12%, në varësi të zonës. Mbi 60% e blerjeve në zonat bregdetare realizohen nga të huaj ose diaspora.

Ndryshe paraqitet situata në Tiranë, ku tregu po shfaq shenja mbingopjeje për shkak të ofertës së lartë. Agjentët imobiliarë parashikojnë stabilitet të çmimeve gjatë vitit 2026, ndërsa kërkesa pritet të zhvendoset më shumë drejt zonave periferike, si Kamza dhe Paskuqani, ku çmimet janë më të përballueshme dhe ndikohen edhe nga rritja e referencave.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit