Reshjet e dendura të shiut gjatë muajit janar i kanë marrë gjithçka Florian Çelës, 35-vjeçarit nga fshati Samaticë i Beratit, i cili prej vitesh siguronte jetesën nga blegtoria. Përmbytjet kanë shkaktuar dëme të mëdha në stallat e tij, ku tashmë dëgjohen gjithnjë e më pak blegërima.
Si pasojë e ujit që përmbyti stallën, Florian Çela humbi 17 qingja, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e ushqimit për bagëtitë u shkatërrua. Rreth 50 kuintalë misër dhe shumë balla ushqimi përfunduan nën ujë, duke e lënë fermerin pa mundësi për të ushqyer kafshët që i kanë mbetur.
Por dëmet nuk ndalen këtu. Shiu përmbyti edhe 4 dynym tokë të mbjellë me jonxhë, ndërsa rezervat e ushqimit për dimrin u morën nga lumi Seman. Edhe sasia e vogël e barit që shpëtoi nga përmbytja është tashmë jashtë përdorimit, pasi është dëmtuar plotësisht.
Florian Çela shprehet se është në një situatë të dëshpëruar dhe kërkon ndihmë urgjente nga shteti. Sipas tij, pa mbështetje financiare do të detyrohet të shesë të gjithë bagëtinë dhe të largohet nga Shqipëria, për t’iu bashkuar dy vëllezërve të tij në Greqi.
Të ardhurat e vetme të familjes vinin nga shitja e qumështit dhe e qingjave, ndërsa mungesa e ushqimit për bagëtitë pritet të sjellë një krizë të rëndë ekonomike për familjen e fermerit, ashtu si për shumë blegtorë të tjerë të prekur nga përmbytjet.