Parlamenti Evropian pritet të ndalojë miratimin e marrëveshjes tregtare mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, pas kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave ndaj vendeve që kanë mbështetur Groenlandën përballë presionit amerikan.
Manfred Weber, president i Partisë Popullore Evropiane (EPP), grupimi më i madh politik në Parlamentin Evropian, deklaroi se në kushtet aktuale një marrëveshje me SHBA-në nuk është më e mundur. Ai theksoi se ulja e tarifave për produktet amerikane duhet të pezullohet, për shkak të qëndrimeve të Trump lidhur me Groenlandën.
Marrëveshja tregtare BE-SHBA, e arritur verën e kaluar mes Ursula von der Leyen dhe Donald Trump, është zbatuar pjesërisht, por ende kërkon miratim përfundimtar nga Parlamenti Evropian. Nëse deputetët e EPP-së bashkohen me grupimet e majta, ekziston rreziku real që marrëveshja të bllokohet ose shtyhet.
Sipas marrëveshjes, SHBA do të vendoste një tarifë 15% për shumicën e produkteve evropiane, ndërsa BE do të hiqte tarifat për mallrat industriale amerikane dhe disa produkte bujqësore. Por kritikat ndaj saj janë shtuar, veçanërisht pasi SHBA ka zgjeruar tarifat 50% për çelikun dhe aluminin, duke përfshirë qindra produkte evropiane.
Situata u përkeqësua më tej pasi Trump njoftoi se nga 1 shkurti do të vendosë tarifa 10%, të cilat do të rriten në 25%, ndaj vendeve evropiane që mbështesin Groenlandën, deri në arritjen e një marrëveshjeje për blerjen e ishullit nga SHBA.
Liderët evropianë reaguan ashpër. Ursula von der Leyen paralajmëroi se tarifat do të dëmtonin seriozisht marrëdhëniet transatlantike, ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron i cilësoi kërcënimet e Trump si të papranueshme.
Zyrtarë të Parlamentit Evropian kanë bërë thirrje që BE të përdorë edhe instrumentin kundër shantazhit tregtar, një mekanizëm i fortë ndëshkues që mund të përfshijë tarifa, taksa ndaj kompanive teknologjike apo kufizime investimesh.
Për momentin, Parlamenti Evropian ndodhet në fazë pritjeje, por gjithnjë e më shumë zëra po kërkojnë që marrëveshja tregtare me SHBA-në të ngrihet, për aq kohë sa vazhdojnë kërcënimet ndaj sovranitetit të Groenlandës.