Një situatë shqetësuese vijon prej më shumë se pesë vitesh në një pallat banimi në qendër të Lushnjës, te pallati i Beracit. Sipas denoncuesit, i cili është gjithashtu administratori i pallatit, garazhi është i përmbytur vazhdimisht, me mbi një metër ujë të grumbulluar.
Ai shprehet se kjo gjendje ka shkaktuar lagështi të theksuar në banesa, duke dëmtuar muret dhe duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë e kolonave dhe stabilitetin e godinës. Denoncuesi thekson se situata jo vetëm po përkeqësohet, por përbën edhe rrezik për jetën dhe pronën e familjeve që jetojnë aty.
Pavarësisht ankesave të përsëritura ndër vite, problemi nuk ka marrë ende një zgjidhje konkrete. Administratori i bën thirrje organeve kompetente, bashkisë dhe institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë sa më parë për verifikimin e situatës dhe marrjen e masave të nevojshme, përpara se dëmet të bëhen të pariparueshme.
Ai kërkon një zgjidhje urgjente dhe të qëndrueshme, duke theksuar se bëhet fjalë për një problem që ka mbetur i pazgjidhur për më shumë se pesë vite dhe nuk mund të neglizhohet më.