NASA ka nisur zyrtarisht fazën përfundimtare të përgatitjeve për misionin Artemis II, duke zhvendosur raketën hënore dhe anijen kozmike Orion drejt platformës së lëshimit në Qendrën Hapësinore Kennedy, në Florida. Ky proces i ngadaltë, që zgjat disa orë, shënon fillimin e testeve finale përpara fluturimit të parë me ekuipazh drejt Hënës pas më shumë se 50 vitesh.
Zbatimi i këtij plani konsiderohet thelbësor, pasi hap fazën e fundit të detyrave praktike që NASA duhet të kryejë në platformën e lëshimit. Gjatë kësaj periudhe, ekipet teknike do të lidhin mjetin me sistemet tokësore, do të kryejnë kontrolle të detajuara dhe ushtrime të plota të numërimit mbrapsht.
NASA ka caktuar 6 shkurtin si datën më të hershme të mundshme për lëshimin e Artemis II, megjithatë agjencia paralajmëron se afati mund të ndryshojë për shkak të kushteve të motit ose problemeve teknike. Janë vendosur kufizime të rrepta për vetëtimat, shpejtësinë e erës dhe temperaturën, në mënyrë që të garantohet siguria maksimale.
Artemis II do të jetë misioni i parë me ekuipazh i NASA-s që përdor raketën e Sistemit të Lëshimit Hapësinor (SLS). Astronautët do të udhëtojnë me kapsulën Orion në një mision rreth 10-ditor, duke bërë një xhiro rreth Hënës përpara se të kthehen në Tokë. Qëllimi kryesor është testimi i sistemeve kritike, përfshirë mbështetjen e jetës, navigimin dhe udhëzimin, si përgatitje për misionet e ardhshme që synojnë uljen e astronautëve në sipërfaqen hënore.
Raketa dhe kapsula, me një peshë totale prej rreth 11 milionë paundësh, janë montuar mbi një platformë të lëvizshme lëshimi. Ekuipazhi i misionit përfshin astronautët e NASA-s Reid Wiseman, Victor Glover dhe Christina Koch, si dhe Jeremy Hansen, i cili do të shërbejë si specialist i misionit. Hansen pritet të bëhet kanadezi i parë që merr pjesë në një mision eksplorimi të Hënës.
Në një konferencë për shtyp, drejtuesi i menaxhimit të misionit Artemis II, John Honeycutt, theksoi se “siguria e ekuipazhit do të jetë përparësia numër një”, duke shtuar se afati kohor varet nga mbarëvajtja e testeve në platformë. Ai bëri të ditur gjithashtu se misioni do të ndjekë një trajektore të ashtuquajtur “kthim i lirë”, e cila garanton rikthimin e kapsulës Orion në Tokë edhe në rast të një dështimi të motorit kryesor.
Ekspertët e politikës hapësinore e kanë cilësuar Artemis II si një hap vendimtar drejt eksplorimit të qëndrueshëm të Hënës dhe, në të ardhmen, të Marsit. SHBA-të nuk kanë dërguar astronautë në Hënë që nga misioni Apollo 17 në vitin 1972. Ndërkohë, misioni Artemis I në vitin 2022, i cili fluturoi Orionin rreth Hënës pa ekuipazh, hodhi bazat për këtë fazë të re të eksplorimit hapësinor.
Me Artemis II, NASA synon t’i afrohet edhe më shumë rikthimit të njeriut në Hënë dhe krijimit të një pranie të qëndrueshme në sipërfaqen hënore.