Një situatë alarmante është regjistruar në fshatin Spathar, ku prej disa ditësh po ndodh rrëshqitje e konsiderueshme e dheut. Sipas banorëve, bëhet fjalë për hektarë të tërë toke të shembur, ndërsa disa banesa janë dëmtuar rëndë dhe të tjera rrezikojnë të shemben në çdo moment.
Banorët shprehen se zona është bërë e pabanueshme, pasi rrëshqitjet vijojnë ende dhe rreziku për jetën e tyre është i lartë. Familje të tëra jetojnë nën frikë, duke mos ditur nëse banesat e tyre do të rezistojnë apo jo.
“Po na rrezikohet jeta. Toka po rrëshqet çdo ditë dhe nuk mund të jetojmë më këtu,” – shprehen banorët.
Ata thonë se deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim apo masë konkrete nga Bashkia e Librazhd apo nga institucionet shtetërore, pavarësisht rrezikut serioz që paraqet situata.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet për vlerësimin e situatës në terren, evakuimin e familjeve të rrezikuara dhe marrjen e masave, përpara se të ndodhë një tragjedi.