Një tender me vlerë të lartë financiare dhe rëndësi kritike për funksionimin e sistemit gjyqësor po ngre dyshime serioze për mungesë gare dhe transparence. Bëhet fjalë për procedurën me objekt “Shërbim mirëmbajtje e Sistemit të Menaxhimit të Çështjeve Gjyqësore ICMIS, ARKIT për të gjitha gjykatat, PAKS+, INFOPOINT, portali www.gjykata.gov.al dhe infrastruktura mbështetëse”.
Autoritet kontraktues për këtë procedurë është Këshilli i Lartë Gjyqësor, i drejtuar nga Ilir Rusi, ndërsa procedura është zhvilluar si “e hapur”, mbi kufirin e lartë monetar, me numër reference REF-69152-11-17-2025.

Fondi limit i tenderit është përcaktuar në 119,166,608 lekë të reja pa TVSH, ndërsa fituese është shpallur bashkimi i operatorëve KREATX sh.p.k dhe AXIANS ALBANIA sh.p.k, me një ofertë prej 110,883,824 lekë pa TVSH, ose rreth 1.3 miliardë lekë të vjetra me TVSH. Kjo vlerë përbën rreth 93% të fondit limit, një diferencë minimale që në praktikat e prokurimeve publike shpesh konsiderohet tregues i mungesës së konkurrencës reale.

Sipas hulumtimit të dokumenteve nga JOQ Albania, në këtë tender kanë marrë pjesë vetëm dy kompani, por njëra prej tyre nuk ka ofruar asnjë vlerë financiare. Në këto kushte, fituese është shpallur e vetmja ofertë e paraqitur, pra bashkimi i dy operatorëve të mësipërm, duke e kthyer procedurën faktikisht në një garë pa garë.

Dyshimet shtohen edhe më tej nga të dhënat e publikuara në media lidhur me pronësinë dhe përfaqësimin e kompanive fituese. Firma “Kreatx” rezulton në dokumente zyrtare në pronësi të Lejdi Koçi dhe Enor Nakuçi, por sipas raportimeve mediatike, pas saj qëndron Panajot Gjiknuri, vëllai i ish-ministrit Damian Gjiknuri.

Nga ana tjetër, Kleanthi Prifti, administrator i Axians Albania sh.p.k, përmendet gjithashtu në media si personazh problematik. Kompania Axians Albania, sipas denoncimeve, ka ndryshuar herë pas here emrin dhe është lidhur me struktura në Francë dhe Gjermani. Po sipas mediave, Prifti nuk ka zbatuar ligjin për deklarimin e pronarëve përfitues, duke mos deklaruar në QKB pronarin fundor të kompanisë. Madje, thuhet se në shkelje të ligjit dhe me dokumentacion të dyshimtë, ai ka përfituar rreth 3.5 milionë euro nga tendera publikë, përfshirë edhe procedura të mbyllura apo sekrete nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.

Në një kohë kur drejtësia shqiptare predikon transparencë, integritet dhe luftë ndaj korrupsionit, ky tender ngre pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si menaxhohen fondet publike pikërisht nga institucionet që duhet të garantojnë standarde të larta ligjshmërie.
Deri më tani, nga Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk ka asnjë reagim zyrtar lidhur me mungesën e konkurrencës, përzgjedhjen e ofertës së vetme dhe dyshimet mbi lidhjet e kompanive fituese.