Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar me vendosjen e tarifave ndëshkuese ndaj tetë vendeve europiane, duke e lidhur drejtpërdrejt këtë vendim me kërkesën e tij që Shtetet e Bashkuara të blejnë Groenlandën.
Në një postim në rrjetin Truth Social, Trump deklaroi se duke nisur nga 1 shkurti, SHBA do të vendosë tarifa shtesë 10% ndaj importeve nga Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Holanda, Finlanda dhe Britania e Madhe. Sipas tij, këto tarifa do të rriten në 25% më 1 qershor dhe do të mbeten në fuqi deri sa të arrihet një marrëveshje për blerjen e Groenlandës.
Trump ka deklaruar vazhdimisht se Groenlanda është jetike për sigurinë kombëtare të SHBA-së, për shkak të pozicionit strategjik dhe burimeve të pasura minerare, duke mos përjashtuar as përdorimin e forcës. Këto deklarata kanë nxitur reagime të forta në Europë, ndërsa disa vende europiane kanë dërguar personel ushtarak në ishull me kërkesë të Danimarkës.
Në Danimarkë dhe Groenlandë janë zhvilluar edhe protesta kundër kërkesave të Trump, ku qytetarët kanë kërkuar që ishulli të vendosë vetë për të ardhmen e tij.
Vendet e përfshira kanë shprehur mbështetje për Danimarkën, duke paralajmëruar se çdo tentativë amerikane për të marrë territor brenda NATO-s mund të tronditë vetë aleancën. Ministri i Jashtëm i Norvegjisë ka deklaruar se çështja e tarifave nuk duhet të përfshihet në diskutimet për Groenlandën.
Danimarka dhe autoritetet e Groenlandës kanë theksuar se ishulli nuk është në shitje, ndërsa kanë rikujtuar se Groenlanda, si pjesë e NATO-s, mbrohet tashmë nga neni 5 i aleancës. SHBA disponon prej vitesh edhe një bazë ushtarake në Groenlandë, me rreth 200 trupa.
Zyrtarë europianë shprehen se presioni i Trumpit lidhet më shumë me zgjerimin territorial të SHBA-së, sesa me arsye reale sigurie.