Pas akuzave të bëra nga opozita, ditën e djeshme në media qarkulloi gjerësisht lajmi se aksioni i zhvilluar nga SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) në një nga kullat e kryeqytetit, pranë zonës së “Myslym Shyrit”, kishte në fokus një nga bizneset e Alba Ballës, motrës së kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste.
Pas publikimit të këtyre pretendimeve ka ardhur edhe reagimi i drejtpërdrejtë i Alba Ballës, e cila i ka hedhur poshtë kategorikisht akuzat e opozitës. Ajo është shprehur se nuk ka asnjë lidhje, interes apo njohje me kompaninë ku SPAK ka kryer kontrolle, duke sekuestruar miliona euro cash si dhe dhjetëra portofola me kriptomonedha.
Në reagimin e saj, Alba Balla i ka cilësuar këto pretendime si të pavërteta dhe dashakeqëse, duke theksuar se ato synojnë të dëmtojnë figurën e saj dhe të vëllait të saj. Ajo shton se është plotësisht e gatshme të përballet me këdo dhe të bashkëpunojë me institucionet për të sqaruar çdo paqartësi dhe për të nxjerrë në dritë të vërtetën.
Ndërkohë, sipas burimeve, operacioni i djeshëm është ndjekur nga afër edhe nga drejtuesi i BKH-së, Joni Keta, i cili ka qenë i pranishëm në terren gjatë zhvillimit të veprimeve hetimore.
Reagimi i plotë i Alba Ballës:
Lajmet që kanë qarkulluar sot në lidhje me mua dhe që, për pasojë, kanë përfshirë edhe vëllain tim, janë tërësisht të pavërteta dhe dashakeqëse. I përgënjeshtroj kategorikisht, me përgjegjësi të plotë.
Nuk kam asnjë njohje, asnjë lidhje dhe asnjë marrëdhënie me kompaninë e përmendur në këto pretendime. Jam plotësisht e gatshme të përballem me çdo institucion, media apo individ, për të sqaruar të vërtetën time, e cila është një dhe e vetme.