“Diella” fiket sërish: e-Albania bllokon bizneset

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 17.01.2026, 16:46

Problemet me funksionimin e platformës e-Albania dhe sistemit “Diella” janë shfaqur sërish, duke lënë qindra biznese dhe profesionistë pa mundësi për të kryer veprime jetike, edhe pse fundjava nuk përbën pushim për aktivitetin ekonomik privat.

Ndërsa administrata publike është në ditë pushimi, shumë biznese vijojnë punën normalisht, si online ashtu edhe fizikisht. Megjithatë, ekonomistët raportojnë se prej ditësh nuk po arrijnë të kryejnë aplikime, deklarime apo shërbime bazë, për shkak të ndërprerjeve të vazhdueshme të sistemit.

“Sistemi vazhdon njësoj”, kanë deklaruar ekonomistët për mediat, duke dërguar edhe pamje që tregojnë qartë pamundësinë për të përfunduar shërbimet. Sipas tyre, problemet prekin jo vetëm “self care”, por edhe vetë platformën e-Albania, e cila nuk pranon dokumentet e aplikimeve.

“Bëra aplikim për leje qëndrimi dhe sistemi nuk mori dokumentet. E njëjta gjë ndodhi edhe me raportin për leje lindjeje, për shkak të problemeve të e-Albania”, shprehet një ekonomist.

Një tjetër ekonomiste pohon se prej disa ditësh, sapo kryhet logimi në sistem, shfaqet mesazhi “kontaktoni administratorin”, duke e bërë praktikisht të pamundur punën. “Edhe pasi rifreskon disa herë, sistemi hapet për pak çaste, por sapo tenton të hapësh një faturë apo të kryesh një veprim tjetër, shfaqet sërish tabela që nuk të lejon të vazhdosh”, thekson ajo.

Bizneset dhe profesionistët shprehen se kjo situatë e përsëritur po kthehet në një problem serioz për funksionimin normal të aktivitetit ekonomik, duke cenuar marrëdhëniet me administratën publike dhe besimin e klientëve. Sipas tyre, mungesa e stabilitetit të sistemeve digjitale po prodhon kosto reale financiare dhe vonesa që askush nuk i mban përgjegjësi.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit