Sot do të kujtojmë një nga skandalet më të bujshme në Shëndetësi që JOQ kishte denoncuar më 18 janar 2021. Në atë kohë, Enkelejd Joti i QSUT i dha kompanisë EVITA rreth 600 milionë lekë me TVSH nga taksat e shqiptarëve, në një tender për Hemodializën prej 8 miliardë lekësh, ku operatorët e tjerë u përjashtuan pa arsye. JOQ kishte zbuluar qartë se EVITA kishte përfituar pothuajse gjithë fondin limit, duke përdorur lidhje me oligarkët dhe administratorët e spitalit amerikan, në një skemë të stisur dhe klienteliste.
Investigimi i JOQ kishte dokumentuar gjithashtu strukturën e pasigurt të aksioneve të EVITA: 72.5% zotërohej nga Arimo B.V, kompani me seli në Amsterdam, ndërsa pjesa tjetër i përkiste personave të lidhur ngushtë me oligarkë dhe administratorë të lartë shqiptarë, përfshirë Klodian Allajbeun e Spitalit Amerikan. Skema e aksioneve dhe rrjeti i “zarave” garantonte përfitime të mëdha për oligarkët e shëndetësisë, duke shfrytëzuar çdo mundësi për të përvetësuar fonde publike.
Sipas informacionit të fundit që ka dalë nga hakerimi i emaileve të SPAK nga Arnold Rrokaj, Klodian Allajbeu, pronar i Spitalit Amerikan në Shqipëri dhe “American Hospital Kosova”, ka dosje në SPAK dhe është vënë nën hetim. Hetimet lidhen edhe me një skemë të dyshuar pastrimi parash dhe falsifikim dokumentesh, e cila përfshin veprime në Kosovë ku ai dhe drejtori Igli Larashi dyshohet se kanë paraqitur dokumente të falsifikuara pranë Administratës Tatimore për të fshehur burimin e parave dhe qarkullimin e shumave të mëdha financiare, duke e bërë situatën edhe më shqetësuese për qytetarët dhe transparencën e Shëndetësisë.
Pas këtyre tenderave të dyshimtë, a do të arrestojë SPAK, Klodian Allajbeun?
