Banorët e qytetit të Elbasanit denoncojnë një situatë alarmante me ujin e pijshëm, i cili prej disa ditësh vjen i ndotur në rubinete, me ngjyrë dhe papastërti të dukshme. Sipas qytetarëve, uji është i papërdorshëm jo vetëm për t’u pirë, por edhe për gatim, larje ushqimesh apo përdorime të tjera bazë, duke përbërë një rrezik serioz për shëndetin.
Ata shprehen se kjo gjendje vijon prej rreth një jave, ndërsa bashkia me kryetar Gledian Llatjan dhe Ujësjellësi i zonës nuk kanë dhënë asnjë sqarim apo zgjidhje konkrete. Për pasojë, banorët janë të detyruar të blejnë ujë ose të rrezikojnë shëndetin e tyre, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet për garantimin e ujit të pijshëm të sigurt.
"Përshëndetje JOQ. Dua të bëj një denoncim në lidhje me ujin e pijshëm në qytetin e Elbasanit. Prej disa ditësh, uji që vjen në rubinete është jashtëzakonisht i ndotur, me ngjyrë dhe papastërti të dukshme qartë, duke përbërë një rrezik serioz për shëndetin e banorëve. Ky ujë është i papërdorshëm jo vetëm për t’u pirë, por edhe për gatim, larje ushqimesh apo përdorime të tjera bazë familjare. Situata është alarmante dhe e papranueshme, sidomos duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një shërbim jetik për qytetarët. Institucionet përgjegjëse nuk kanë dhënë asnjë shpjegim apo zgjidhje konkrete deri më tani, ndërkohë që qytetarët janë të detyruar të blejnë ujë ose të rrezikojnë shëndetin e tyre. Bashkëngjitur kam edhe një video ku duket qartë gjendja shumë e ndotur e ujit. Kërkoj që kjo situatë të bëhet publike dhe autoritetet përkatëse të marrin masa të menjëhershme për garantimin e ujit të pijshëm të sigurt për qytetin e Elbasanit. Do ju lutesha që ta postonit sa më shpejt ju lutem. Sepse po bëhet 1 javë me këtë situatë", shkruhet në denoncim.