Një qytetar i është drejtuar redaksisë sonë duke ndarë pamje shqetësuese nga zona e Pishkashit, ku një mjedis me bukuri të rrallë natyrore është shndërruar në një grumbull masiv mbeturinash.
Në një peizazh që dikur karakterizohej nga natyra e paprekur dhe pamje mbresëlënëse, sot mbizotëron ndotja. Zona duket si një landfill i improvizuar, ku hidhen mbetjet e të gjithë fshatit, duke e shndërruar vendin në një vatër mbeturinash që rëndon ndjeshëm mbi mjedisin dhe imazhin e saj.
Pamja e krijuar është tejet shqetësuese, pasi mbeturinat janë shpërndarë kudo dhe zona “noton” në plehra. Pavarësisht kësaj situate alarmante, Bashkia duket se prej vitesh nuk ka ndërmarrë asnjë masë konkrete për pastrimin dhe rehabilitimin e kësaj hapësire.
Banorët e zonës kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse, duke apeluar për pastrimin urgjent të territorit dhe marrjen e masave për të parandaluar përsëritjen e kësaj situate në të ardhmen.