“Investo 250 €, fito 50 mijë!”/ Si u zbulua rrjeti i mashtrimit me call center-at, 10 të arrestuar dhe 2 në kërkim

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 17.01.2026, 12:20

Në kuadër të një hetimi të përbashkët me autoritetet italiane, SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, kanë zhvilluar disa kontrolle në ambiente të marra me qira në Tiranë, në kuadër të një hetimi për mashtrime financiare përmes call center-ave.

Burime zyrtare bëjnë me dije se gjatë operacionit janë arrestuar 10 persona, ndërsa dy të tjerë, pronarë të subjekteve, janë shpallur në kërkim. Kontrollet janë kryer me qëllim sekuestrimin e materialeve dhe provave që lidhen me aktivitetin e dyshuar kriminal.

Hetimi ka nisur pas denoncimeve të bëra në emisionin investigativ italian “Le Iene”, ku gazetari Luigi Pelazza prej disa javësh ka dokumentuar ekzistencën e një sistemi të organizuar mashtrimi, që operon përmes call center-ave në disa vende, përfshirë edhe Shqipërinë. Sipas hetimit, kjo skemë ka mashtruar mijëra viktima në mbarë botën, duke u shkaktuar atyre humbje prej miliona eurosh.

Skema e mashtrimit bazohet në telefonata që premtojnë fitime të shpejta përmes investimeve të rreme në platforma dixhitale. Operatorët kërkojnë një investim fillestar prej 250 eurosh, duke pretenduar se paratë do të investohen në aksione të “Fininvest”, të garantuara nga shteti italian. Pas pagesës, viktimave u jepet akses në një faqe interneti ku shfaqet një shumë fiktive prej rreth 50 mijë eurosh, e paraqitur si llogaria e tyre personale.

Në momentin që qytetarët tentojnë të tërheqin fitimet, sistemi i informon se duhet të kryejnë transferta të tjera për të mundësuar tërheqjen e fondeve. Kjo procedurë përsëritet disa herë, duke shumëfishuar shumën e parave të përfituara në mënyrë të paligjshme, derisa viktimat kuptojnë se nuk do të arrijnë kurrë të marrin paratë e tyre.

Falë dëshmisë së një burimi të brendshëm, hetimi ka arritur të gjurmojë nivelet më të larta të organizatës, përfshirë edhe personin përgjegjës për rekrutimin e stafit të call center-ave në Shqipëri. Autoritetet italiane dhe shqiptare kanë identifikuar gjurmë të personave përgjegjës për vjedhjet, të cilat kanë çuar hetimin edhe në territorin shqiptar.

Hetimet vijojnë, ndërsa priten masa të tjera ligjore në kuadër të këtij operacioni ndërkombëtar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit