Të tjera dosje kanë zbuluar hakerimet e Arnold Rrokajt në bisedat e bëra me Zambak Gjonin e ky i fundit me ish-drejtorin e Burgjeve Agim Ismailin. Në fokus ka qenë dosja e Damian Gjiknurit.
Arnold Rrokaj dyshohet se ka arritur të nxjerrë nga SPAK dokumente që lidhen me Damian Gjiknurin, aktualisht deputet i Partisë Socialiste. Sipas të dhënave, bëhet fjalë për një dokument me titullin “Informacion mbi ecurine_Damiani.docx”, me përmbajtje prej 79 faqesh.
Burime bëjnë me dije se ky dokument i është dërguar nga Zambak Gjoni tek Agim Ismaili, por edhe tek persona të tretë. Ndërkohë, më 18 shkurt 2025, SPAK ka konstatuar se i hetuari Zambak Gjoni i ka dërguar Ismailit edhe dokumentin “Leter porosi_Austrië.doc”, duke e shoqëruar me mesazhin:
“Do e haje dhe damiani me duket”, si dhe një tjetër dokument me titull “Informacion mbi ecurine Damian”.
Në dëshminë e tij, Ismaili ka pranuar se ka marrë këto materiale, por ka pretenduar se ka menduar se bëhej fjalë për informacione të publikuara më herët në media dhe jo për dokumente të nxjerra në mënyrë të paligjshme nga SPAK.
Ai ka deklaruar:
“Një natë, përpara disa kohësh, më solli një material si komunikonim vazhdimisht dhe e pashë, ndërkohë që isha duke punuar. Këtë material e shpërndava pasi e mendova se ishte një lajm që kishte dalë nga mediat dhe nuk e mendova gjatë. Më pas e kam lexuar këtë material dhe i hodha një sy. Materiali kishte të bënte me disa hetime të zhvilluara ndaj shtetasit Damian Gjiknuri dhe nuk e kam diskutuar më me njerëz të tjerë.”