Nëntë persona të arrestuar në lidhje me arratisjen e të dënuarit Altin Ndoci nga spitali Rajonal i Durrësit do të dalin sot, e shtunë 17 janar, përpara Gjykatës së Durrësit, ku do të njihen me masat e sigurisë. Mes të arrestuarve janë kryeinfermieri Aulon Çuko, zëvendësshefi i komanduar i policisë së burgut Desdemon Pazaj, si dhe pesë efektivë të policisë së shoqërimit: Dorjan Saraçi, Sal Ferollari, Preng Marvataj, Fatjon Baçi dhe Aranit Çela. Në pranga ka rënë edhe Violeta Uka, përgjegjëse për njoftimin e sallave operative gjatë shoqërimit të të dënuarve.
Po në kuadër të të njëjtit operacion, një ditë më parë u arrestua edhe ish-drejtori i Burgut të Durrësit, Indrit Cerloj, ndërsa autoritetet kanë shkarkuar të gjithë zinxhirin komandues të këtij institucioni. Hetimet po fokusohen në shkeljet e procedurave të sigurisë dhe përgjegjësitë individuale që çuan në arratisjen e Ndocit nga ambientet e spitalit, një ngjarje që ka shkaktuar reagime të forta dhe masa të menjëhershme administrative.
Sipas burimeve zyrtare, Altin Ndoci ishte shoqëruar nga paraburgimi i Durrësit drejt spitalit Rajonal për një vizitë mjekësore në repartin e infektivit, në katin e tretë, i cili disponon edhe ambiente të posaçme për të dënuarit. Gjatë shoqërimit, pesë policë ishin të angazhuar, por dy prej tyre kanë qëndruar në automjet, ndërsa dy të tjerë e kanë shoqëruar brenda spitalit. Në momentin që Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet, ai ka goditur dy efektivët në zonën e barkut dhe i ka shtyrë, duke përfituar nga situata për t’u larguar me shpejtësi nga kati i tretë i spitalit.