Babai dhe vëllai i Jurgen Karajt i kanë bërë apel institucioneve shtetërore për intensifikimin e kërkimeve, pas zhdukjes së të riut, i cili dyshohet se është marrë nga rrjedha e përroit të fshatit Dares. Jurgen Karaj rezulton i zhdukur prej 9 ditësh, ndërsa familjarët kërkojnë angazhim më të madh për gjetjen e tij dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00 pas mesnate, kur automjeti me të cilin po udhëtonin dy të rinj ka përfunduar në përroin e fshatit Dares. Drejtuesi i mjetit 24-vjeçari Andi Llosha ka arritur të dalë nga makina dhe është arrestuar nga policia, ndërsa Jurgen Karaj, pasagjer në automjet, dyshohet se është marrë nga rrjedha e ujit.
Pavarësisht kërkimeve intensive nga forca të shumta policie dhe ekipe shpëtimi, në terren nga zona e Ulzës deri në vendin ku automjeti përfundoi në përrua, ende nuk është gjetur asnjë gjurmë e Jurgenit. Babai i tij, Shaban Karaj, dhe vëllai, Endrin Karaj, theksojnë se të vërtetën ia kanë lënë drejtësisë dhe kërkojnë vetëm zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë.