Një tjetër skandal është shënuar në Bashkinë Mat, ku rruga Derjan–Macukull është shembur vetëm 8 muaj pas inaugurimit, duke u kthyer në rrezik për qarkullimin e mjeteve. Dëmtimet e rënda në asfalt janë evidentuar pas reshjeve të shiut, duke ngritur dyshime të forta për cilësi të dobët punimesh dhe abuzim me fondet publike.
Rruga që lidh Burgajet, Derjanin dhe Macukullin ka një gjatësi prej 8750 metrash dhe është financuar nga Qeveria Shqiptare përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Vlera e kontratës kap shifrën rreth 570 mijë euro. Punimet janë kryer nga “BAMI HOLDING” Sh.p.k i Besnik Bamit, projektimi nga “INFRAKONSULT” Sh.p.k dhe supervizimi nga B.O.E “TRANSPORT HIGHWAY CONSULTING” Sh.p.k të Engjëll Caka & “ARABEL-STUDIO” Sh.p.k në pronësi të Ana Nishkut.
Punimet nisën në Dhjetor 2024 dhe parashikohej të përfundonin në Prill 2025, por degradimi i menjëhershëm i rrugës ka sjellë reagime nga banorët, të cilët kërkojnë përgjegjësi nga institucionet dhe kompanitë e përfshira, duke e cilësuar investimin një tjetër dështim të shtrenjtë të infrastrukturës publike.