Një aksident ka ndodhur mbrëmjen e sotme në kryqëzimin e Selvisë, ku janë përfshirë dy automjete. Sipas denoncimit të mbërritur në redaksi, njëra nga makinat është spostuar nga vendi i ngjarjes menjëherë pas përplasjes, ndërsa tjetra është lënë në mes të rrugës, duke krijuar pengesë për qarkullimin. Më pas shoferët janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Sipas pamjeve dhe dëshmive, një nga automjetet, tip Benz, rezulton pa targa. Nuk është e qartë nëse ato janë hequr qëllimisht apo kanë rënë gjatë aksidentit, por fakti që makina u braktis në rrugë rrit shqetësimin e qytetarëve.
Pavarësisht situatës së rrezikshme, policia nuk ka mbërritur ende në vendngjarje. Qytetarët shprehen të shqetësuar për mungesën e reagimit të menjëhershëm nga institucionet, duke theksuar se kryqëzimi është shumë i frekuentuar dhe situata mund të shkaktojë aksidente të tjera.
Deri më tani nuk ka asnjë informacion zyrtar lidhur me shkaqet e aksidentit, ndërsa automjetet e braktisura mbeten pengesë për qarkullimin, duke rritur pasigurinë në zonë.