“85% e shqiptarëve ndihen të sigurt natën”, vlonjati trembet nga polici me makinë civile

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 16.01.2026, 23:54

Një i ri ka vënë në alarm Policinë e Vlorës, pasi ka denoncuar se po ndiqej nga një automjet me xhama të zinj, ndërsa po lëvizte në këmbë në zonën e Lungomares.

Sipas burimeve zyrtare, i riu ka telefonuar menjëherë policinë, duke deklaruar se një automjet i dyshimtë ishte vënë në ndjekje të tij. Pas njoftimit, patrullat e Policisë së Vlorës janë nisur drejt vendngjarjes për të verifikuar situatën.

Nga kontrolli i kryer rezultoi se automjeti në fjalë ishte i Policisë së Shtetit, i cili po patrullonte zonën me një mjet civil, pa logo zyrtare. Situata kishte shkaktuar frikë te i riu, i cili ishte afruar pranë një patrulle rrugore me bindjen se po ndiqej nga persona të panjohur.

Por kjo ngjarje bie ndesh me një raport të Policisë së Shtetir që u publikua më herët gjatë ditës për Barometrin e Sigurisë së Jetës dhe Punës së Policisë së Shtetit për vitin 2025, ku evidentohet ulja e kriminalitetit, përmirësimi i sigurisë rrugore dhe rritja e besimit të qytetarëve, krahasuar me vitin 2010.

Një nga konkluzionet kryesore të studimit të realizuar nga Qendra “Agenda” lidhej me ndjenjën e sigurisë së qytetarëve gjatë lëvizjes në orët e errësirës. Sipas të dhënave, 85.3% e të anketuarve shprehen se ndihen të sigurt ose shumë të sigurt kur ecin vetëm në lagjen apo fshatin e tyre pas rënies së errësirës.

Megjithatë, episodi i ndodhur në Vlorë, vetëm pak orë më vonë, ngre pikëpyetje mbi këtë perceptim sigurie, duke treguar se frika dhe pasiguria mund të shfaqen edhe në prani të strukturave të rendit, përfshirë vetë Policinë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit