Nestlé ka njoftuar tërheqjen globale të disa produkteve të qumështit formulë për foshnja, pas dyshimeve se ato mund të përmbajnë një toksinë që shkakton helmim ushqimor.
Gjiganti i ushqimit dhe pijeve bëri të ditur se disa seri të caktuara të formulës për foshnja SMA dhe formulës “follow-on” nuk konsiderohen të sigurta për konsum nga bebet. Sipas kompanisë, produktet e prekura janë shpërndarë në tregje të ndryshme në mbarë botën dhe mund të përmbajnë cereulide – një toksinë që mund të shkaktojë të përziera dhe të vjella pas konsumimit.
Nestlé theksoi se deri më tani nuk ka raportime të konfirmuara për raste sëmundjeje të lidhura me këto produkte, por sqaroi se tërheqja po kryhet si masë paraprake.
“Siguria dhe mirëqenia e foshnjave është prioriteti ynë absolut. Kërkojmë sinqerisht ndjesë për çdo shqetësim apo bezdi të shkaktuar te prindërit, kujdestarët dhe klientët,” thuhet në deklaratën zyrtare të kompanisë.
Kompania konfirmoi se tërheqja është globale. Produktet e prekura janë shitur në disa vende evropiane, përfshirë Francën, Gjermaninë, Austrinë, Danimarkën, Italinë dhe Suedinë, si edhe në Shqipëri dhe Kosovë.
Në Gjermani, këto produkte njihen me emrat tregtarë Beba dhe Alfamino, të cilat janë importuar edhe në Shqipëri. Sipas të dhënave të raportuara nga Top Channel, gjithsej 744 kuti janë konsumuar nga foshnjat në Kosovë dhe Shqipëri, prej të cilave 580 vetëm në Shqipëri.
Importuesi ka njoftuar për tërheqjen e produktit nga tregu, megjithatë ai vijon të reklamohet online dhe në disa pika shitjeje mungon njoftimi për rrezikun, duke mos informuar prindërit që të ndalojnë ushqyerjen e fëmijëve me këtë qumësht, i cili mund të shkaktojë diarre dhe të vjella.
Cereulide është një toksinë e prodhuar nga disa lloje të bakterit Bacillus cereus dhe mund të shkaktojë simptoma të shpejta të helmimit ushqimor, përfshirë të vjella dhe dhimbje barku.
