Kjo është situata aktuale e rrugës në fshatin Beshë, pjesë e Njësisë Administrative Zall-Bastar. Një realitet shqetësues që dëshmon për mungesë vëmendjeje institucionale nga Bashkia e Tiranës.
Rruga është e mbuluar nga balta dhe në gjendje thuajse të pakalueshme. Në mungesë të çdo ndërhyrjeje nga strukturat përkatëse të bashkisë, banorët janë detyruar të marrin vetë lopatat për të pastruar rrugën, duke kryer punë që normalisht duhet të ishte përgjegjësi e pushtetit vendor.
Banorët denoncojnë se kanë bërë ankesa dhe kërkesa të vazhdueshme pranë institucioneve lokale, por deri më tani nuk ka pasur asnjë zgjidhje konkrete apo plan ndërhyrjeje. Kjo situatë vë në pikëpyetje prioritetet e Bashkisë Tiranë, sidomos kur bëhet fjalë për zonat rurale të saj.
Faktet flasin vetë, mungesa e investimeve dhe e reagimit në kohë ka sjellë degradimin e infrastrukturës dhe ka lënë qytetarët të përballen vetëm me problemet e përditshme. Rruga nuk është thjesht çështje komoditeti, por një domosdoshmëri për lëvizjen, shërbimet emergjente dhe jetën normale të komunitetit.