Muaji mars pritet të jetë vendimtar për Kombëtaren shqiptare, pasi kuqezinjtë do të zhvillojnë ndeshjet e “Play Off”-it për Kupën e Botës, e cila këtë vit do të organizohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë. Shqipëria ka një mundësi historike për të provuar për herë të parë kualifikimin në një Botëror dhe për ta realizuar këtë objektiv, duhet të kalojë me sukses përballjet ndaj Polonisë dhe më pas finalen vendimtare.
Për të bërë paraqitje bindëse, stafi teknik shpreson të ketë në dispozicion një grup sa më të plotë dhe futbollistë në gjendje optimale fizike. Megjithatë, situata aktuale në kampin kuqezi nuk është aspak ideale. Një numër i konsiderueshëm lojtarësh po përballen me dëmtime, ndërsa disa të tjerë janë të përfshirë në çështje merkatoje me klubet respektive, problematikë kjo që prek kryesisht repartin e mbrojtjes.
Gjatë ditëve të fundit, thuajse i gjithë sektori defensiv është prekur nga dëmtime. Sikur të mos mjaftonin problemet fizike, për lojtarët që nuk janë të dëmtuar, situata në klubet e tyre është e tensionuar dhe në merkaton e janarit priten lëvizje të shumta.
Berat Gjimshiti u detyrua të lërë fushën vetëm pak minuta pas nisjes së një ndeshjeje me Atalantën dhe mungoi edhe në sfidën pasuese. Fillimisht u dyshua për një dëmtim serioz, por ekzaminimet mjekësore përjashtuan fraktura apo probleme të rënda. Megjithatë, për kapitenin kuqezi ky është dëmtimi i dytë radhazi, pasi edhe në fund të vitit të kaluar kishte munguar për arsye fizike.
Probleme ka pasur edhe Ardian Ismajli, i cili u largua i dëmtuar nga përballja kundër Romës në Kupën e Italisë. Mbrojtësi pësoi një goditje, por fatmirësisht nuk bëhet fjalë për një dëmtim serioz. Sidoqoftë, si Ismajli ashtu edhe Gjimshiti do të kenë nevojë për pushim për të rikuperuar plotësisht formën fizike, duke pasur parasysh edhe dëmtimet e mëparshme.
Në ditët në vijim pritet të qartësohet situata e të gjithë mbrojtësve. Ndërkohë, Aliji ka kaluar një ndërhyrje kirurgjikale, ndërsa dëmtimi i pësuar në shtator ka ndikuar negativisht në përgatitjet e Marash Kumbullës. Mbrojtësi i Majorkës po has vështirësi për të fituar një vend titullari dhe po vuan mungesën e minutave në fushë.
Sa u përket të tjerëve, Mario Mitaj, një nga pikat më të forta të mbrojtjes, nuk po kalon një moment pozitiv me Al Itihadin. Ai ndodhet në qendër të vëmendjes së merkatos dhe po shqyrtohet mundësia e largimit nga Arabia Saudite, për shkak të minutave të pakta në dispozicion. Nga ana tjetër, Elseid Hysaj mund të largohet nga Lacio gjatë kësaj merkatoje, pasi mediat italiane raportojnë se kontrata e tij nuk pritet të rinovohet, çka mund t’i hapë rrugë një angazhimi më të rregullt në një klub tjetër.
Situatë delikate po kalon edhe Ivan Balliu. Mbrojtësi i djathtë pati sërish probleme me trajnerin pas zëvendësimit dhe ky është rasti i dytë që përfshihet në incidente për të njëjtën arsye. Për sjelljen e tij priten masa administrative në ditët në vijim.