Pas shkarkimit nga detyra, ish-drejtori i IEVP Durrës, Indrit Cërloji, është arrestuar me vendim të Gjykatës së Durrësit, e cila ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”. Cërloji akuzohet për shpërdorim detyre në lidhje me arratisjen e të paraburgosurit Altin Ndoci, ngjarje që tronditi sistemin penitenciar dhe solli reagim të menjëhershëm institucional nga Ministria e Drejtësisë. Dy ditë më parë, ministri Besfort Lamallari kishte firmosur shkarkimin e tij, vetëm një ditë pas arratisjes së Ndocit gjatë një vizite mjekësore në spitalin e Durrësit.
Në të njëjtën çështje është arrestuar edhe mjekja Ylvete Sema, 65 vjeçe, e përfshirë në procedurat e kontrollit mjekësor të të paraburgosurit, por ndaj saj Gjykata ka vendosur masën “arrest shtëpie”. Hetimet po fokusohen në rolin e personelit shëndetësor dhe bashkëpunimin me strukturat e sigurisë gjatë shoqërimit të Ndocit, i cili ndodhej nën akuzë për vepra të rënda penale dhe konsiderohej person me rrezikshmëri të lartë.
Arratisja e Altin Ndocit ka zbuluar një dështim të rëndë institucional dhe shkelje të rënda të protokolleve të sigurisë. Sipas verifikimeve paraprake, IEVP Durrës nuk ka raportuar as planifikimin dhe as realizimin e shoqërimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, ndërsa i paraburgosuri është shoqëruar pa pranga, në kundërshtim me rregullat në fuqi. Pas ngjarjes janë pezulluar të gjithë drejtuesit e zinxhirit komandues dhe janë arrestuar 8 punonjës të Policisë së Burgjeve, duke nxjerrë në pah një problem serioz sistemik që cenon drejtpërdrejt sigurinë publike.