Një situatë tejet shqetësuese është denoncuar pranë redaksisë sonë nga një qytetare, e cila mëngjesin e sotëm është përballur me një skandal të papranueshëm pranë Spitalit të Traumës, një institucion që duhet të jetë në shërbim të jetës dhe jo peng i vendimeve arbitrare.
Sipas denoncimit, qytetarja, e cila kishte të planifikuar një ndërhyrje kirurgjikale në orën 08:00, së bashku me shumë pacientë të tjerë që kishin orare të caktuara për vizita, konsulta apo operacione, janë ndaluar të hyjnë brenda ambienteve të spitalit. Urdhri, sipas saj, ka ardhur drejtpërdrejt nga drejtoresha e spitalit, Edlira Bode.
Pa dhënë asnjë sqarim zyrtar apo arsye bindëse, drejtoresha u ka komunikuar pacientëve se hyrja në spital nuk do të lejohej para orës 10:00, duke shpërfillur plotësisht gjendjen shëndetësore të tyre, dhimbjet, urgjencën e rasteve apo faktin se ata kishin orare të caktuara nga vetë mjekët e institucionit.
Ajo që e bën situatën edhe më alarmante është fakti se, sipas denoncueses, drejtoresha Bode ka përdorur edhe një gjuhë kërcënuese ndaj stafit mjekësor, duke deklaruar se do të pushonte nga puna të gjithë mjekët që kishin planifikuar vizita, konsulta apo ndërhyrje para orës 10:00. Një deklaratë që jo vetëm cenon rëndë etikën institucionale, por edhe minon pavarësinë profesionale të mjekëve dhe vë në rrezik shëndetin e pacientëve.
Në vend që të funksionojë si një institucion publik në shërbim të qytetarëve, Spitali i Traumës duket se është shndërruar në një pronë private, ku hyrje-daljet, shërbimet dhe oraret përcaktohen sipas vullnetit personal të drejtoreshës dhe jo sipas ligjit, protokolleve mjekësore apo nevojave jetike të pacientëve.
Në një vend ku qytetarët presin me muaj për një vizitë apo operacion dhe ku çdo orë vonesë mund të ketë pasoja të rënda shëndetësore, bllokimi i qëllimshëm i shërbimeve spitalore është i papranueshëm dhe kërkon reagim urgjent nga institucionet përgjegjëse.
Denoncimi i qytetares:
Shikojeni drejtoreshën e spitalit të Traumës bashkë me kordinatorin lenë të hy brenda vetëm njerëzit që i interesojnë asaj. Kisha në orën 8 operimin e dorës dhe s'më la të futem, dhe kërcënonte njerëzit se do shkarkojë doktorët.