Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) ka publikuar në faqen e saj zyrtare versionet e përditësuara për vitin 2025 të Katalogut të Pasurive të Sekuestruara dhe Katalogut të Pasurive të Konfiskuara dhe të Sekuestruara, ku renditen pasuri të ndërtuara dhe të përfituara me lekë të pista, që tashmë janë nxjerrë nga hija e krimit dhe janë regjistruar si pronë e shtetit.
Në katalog përfshihet pasuria e Emiljano Shullazit, konkretisht pjesa takuese e ish-Hotel “Vollga” në Durrës, e përfituar përmes kontrate dhurimi dhe e regjistruar në emrin e tij në vitin 2014. Prona ndodhet në bashkëpronësi me Fejzi dhe Marjeta Kodra dhe përfshin truall dhe ndërtesë me sipërfaqe mbi 1100 m². Me vendim përfundimtar të Gjykatës së Posaçme të Apelit në korrik 2021, pasuria është konfiskuar dhe pjesa takuese e Shullazit ka kaluar në favor të shtetit.
Janë konfiskuar gjithashtu edhe pasuritë e Luan Kërtallit, të cilat sipas autoriteteve janë përfituar nga veprimtaria kriminale e dy djemve të tij. Bëhet fjalë për një truall prej 1050 m² dhe një objekt njëkatësh me oborr dhe pishinë. Enkel dhe Morel Kërtalli janë hetuar për disa vepra të rënda penale, përfshirë falsifikime dhe akuza për vrasje.
Në listë figuron edhe konfiskimi i një apartamenti në qytetin e Beratit në pronësi të deputetit demokrat Kasem Mahmutaj. Pasuria me sipërfaqe 106 m² është konfiskuar me vendim të Gjykatës së Posaçme të Apelit në qershor 2022. Me këtë vendim, apartamenti ka kaluar përfundimisht në favor të shtetit.
Pasuri të konsiderueshme janë konfiskuar edhe nga familjarët e Arben Isufajt, i njohur si “Ben Qimja”. Mes tyre është një kompleks shërbimesh me restorant, lavazh dhe parkim përballë burgut të Fierit, në pronësi të Ahmet Isufajt, si dhe një truall i përshtatur për biznese në pronësi të Amarildo Isufajt. Konfiskimi është vendosur nga Gjykata e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në shtator 2023.
Në mesin e pasurive të sekuestruara përfshihet edhe lokali “Monopol” në zonën e Myslym Shyrit në Tiranë, në pronësi të Aurel Hoxhës. Pasuria përbëhet nga dy njësi të bashkuara në bodrumin e një pallati, të përshtatura si ambient lokali dhe aktualisht të dhëna me qira. Aurel Hoxha është identifikuar si porositës i dyshuar i vrasjes së Klevis Lleshit dhe vijon të jetë në kërkim nga autoritetet.