Jonida Proga, motra e Egli Progës, i cili u vra në Pogradec në verën e vitit 2024, ka akuzuar publikisht drejtuesen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Mirela Bogdanin, se ka favorizuar dhe promovuar prokuroren e çështjes, Vasjana Postoli. Përmes një postimi në Facebook, Proga shpreh indinjatën e saj për mënyrën se si është trajtuar çështja e vëllait, duke theksuar se prokurorja ka deklaruar në seancë gjyqësore se Egli Proga “vdiq nga një grusht”, ndërkohë që sipas saj autori i dyshuar, Denis Meçe, ishte një kriminel dhe gjobaxhi i njohur në qytetin e Pogradecit, e ka dhunuar për vdekje.
Në reagimin e saj, Jonida Proga kritikon ashpër vendimmarrjen e KLP-së dhe i drejtohet drejtpërdrejt anëtarëve të saj, duke shkruar: “Faleminderit të gjithë anëtarëve të KLP që mbyllni sytë sa herë votoni, për të mos parë ç'keni para. Faleminderit Prof. Mirela! Po të masakrohej vëllai yt nga kriminelët e gjobaxhinjtë, a do e dekoroje prokuroren që tha "vdiq nga një 'grusht'”? Faleminderit të gjithë anëtarëve të KLP që mbyllni sytë sa herë votoni, për të mos parë ç'keni para!" Sipas saj, promovimi i prokurores Vasjana Postoli është një fyerje për drejtësinë dhe për familjen e viktimës.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 10 gusht 2024 në Pogradec. Sipas dëshmive të mbledhura nga policia, Egli Proga kishte shkuar në një lokal për të pirë, ku brenda ndodhej edhe një shtetas tjetër, ndërsa jashtë lokalit ndodheshin tre persona, mes tyre Denis Meçe, nipi i ish-drejtorit të Postës Shqiptare, Valter Gora, të gjithë në gjendje të dehur. Debati ka nisur pasi Meçe iu afrua Progës duke i kërkuar një cigare, situata u përshkallëzua dhe autori i kërkoi viktimës të dilnin jashtë për “sqarim”, ku Egli Proga u dhunua për vdekje, ndërsa Denis Meçe u arratis pas ngjarjes.