Ndërkohë që institucionet publike duhet të jenë garantët e administrimit me kursim të parave të shqiptarëve, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), nën drejtimin e Gentian Salës, ka vendosur të shpërndajë miliona lekë për komoditetin e zyrave të veta, pa u munduar as të krijojë dukjen e një gare të ndershme.
Një garë me një pjesëmarrës: Vetëm një ofertë, një fitues! Sipas dokumenteve të siguruara nga JOQ, AKEP ka mbyllur tenderin me numër reference REF-72383-12-16-2025 me objekt: "Riparimi i sistemit të kondicionimit në zyrat e QKMF dhe zëvendësimi i sistemit të ftohjes në dhomën e serverave".

Ajo që bie në sy menjëherë është mungesa totale e konkurrencës. Në këtë procedurë ka marrë pjesë vetëm një kompani: "COMFORT" sh.p.k., në pronësi të Rezart dhe Luftulla Stërmasit. Pa asnjë rival në garë, fitorja ka qenë e sigurt, duke ngritur dyshime të forta për një tender të qepur sipas masës së fituesit.
Fondi limit i vendosur nga AKEP ishte 5,033,200 lekë (të reja) pa TVSH. Kompania "COMFORT" ka paraqitur ofertën prej 4,238,375 lekësh.

Pas llogaritjes, rezulton se vlera fituese është 84.2% e fondit limit. Në një treg me konkurrencë reale, oferta fituese zakonisht ulet ndjeshëm për të mposhtur rivalët, por në zyrat e Gentian Salës, mjafton të paraqitet vetëm një firmë për të rrëmbyer rreth 50 milionë lekë (me TVSH) nga taksat tona.
Ky tender tregon edhe një herë lehtësinë me të cilën hidhen paratë për riparime sistemesh kondicionimi, ndërkohë që procedurat "me një ofertues të vetëm" janë shndërruar në rrugën më të shpejtë për të kaluar fondet publike në xhepat e privatëve.
Pyetja që mbetet për organet e kontrollit: Pse nuk kishte asnjë kompani tjetër në garë dhe a ishin kriteret e tenderit të hartuara në mënyrë që vetëm "COMFORT" të kualifikohej?
