Një vit më parë, Bashkia e Tiranës kryesonte listën e institucioneve me vlerën më të lartë të pagesave nga Thesari i Shtetit. Por stafeta është pasuar...
Sipas të dhënave të krahasuara nga databaza Spending Data Albania (AIS), gjatë vitit 2024 Bashkia e Tiranës ishte institucioni publik me nivelin më të lartë të transaksioneve financiare. Por në vitin 2025, Gent Gjyli ia ka kaluar Veliajt, pasi ky i fundit u fut në burg dhe duket se i ka pasuar stafetën për në SPAK.

Shpenzimet vjetore të bashkisë me futjen në burg të Veliajt kanë rënë me rreth 1 MILIARD Lekë. Buxhetit të Shtetit i është kursyer kjo shumë që pasi kryebashkiaku la zyrën. Kjo rënie përkon në kohë me zhvillimin më të bujshëm politik dhe juridik në historinë e këtij institucioni, arrestimin e Erion Veliajt.
Buxheti që ndryshoi trajektore
Burime nga databaza e Thesarit tregojnë se pas arrestimit të Veliajt, fluksi i pagesave të Bashkisë së Tiranës pësoi një tkurrje të menjëhershme. Deri atëherë, bashkia kishte ruajtur një ritëm konstant transfertash drejt një grushti kompanish private – e operatorë që për vite me radhë kanë fituar tenderë për pastrim dhe gjelbërim, infrastrukturë urbane, shërbime IT dhe mirëmbajtje dhe projekte “rilindjeje” urbane.
Pas ndërhyrjes së drejtësisë, kjo “makineri pagesash” duket se ka humbur vrullin. Megjithatë, pavarësisht rënies, bilanci i përgjithshëm mbetet tronditës. Nga viti 2025 deri në hyrje të vitit 2026, Bashkia e Tiranës rezulton se ka transferuar mbi 236 MILIARD Lekë drejt kompanive private që ajo ka kontraktuar.
Një shumë kolosale që përfaqëson një nga përqendrimet më të mëdha të fondeve publike në duart e një numri të kufizuar operatorësh ekonomikë.
Oligarkët e përhershëm të buxhetit
Të dhënat paraprake tregojnë se pjesa dërrmuese e këtyre fondeve ka shkuar drejt të njëjtave kompani që prej vitesh dominojnë tenderët e Bashkisë së Tiranës, të njëjtat emra, të njëjtat adresa, të njëjtat kontrata shumëvjeçare.
Në këtë kontekst, arrestimi i Veliajt nuk duket se ka ndërprerë rrjedhën e parave publike drejt këtyre subjekteve, por vetëm ka ndryshuar ritmin dhe intensitetin e saj.
Në mungesë të transparencës së plotë dhe auditimeve të pavarura, një gjë është e sigurt... Bashkia e Tiranës mund të ketë humbur fronin si institucioni me shpenzimet më të larta, por jo rolin si arkë e artë për oligarkët e përhershëm të parave publike.