Projekti i Aeroportit të Vlorës, i shpallur si "porta e re e Ballkanit", sot nuk është në lajme për uljen e avionëve të parë, por për një ngërç ligjor që mban erë korrupsioni dhe rryshfeti. Hetimet e fundit të SPAK-ut mbi tenderat e rrugëve kanë hapur një dritare të re: ato sugjerojnë se dora që po firmos rrugët e Unazës së Madhe, është e njëjta që po mbyt investimin në Vlorë. Në qendër të kësaj skeme qëndron një treshe emrash që lidhen mes pushtetit, familjes dhe parave të pista: Belinda Balluku, Arbër Abazi dhe Valon Ademi.
Kur oficerët e BKH-së zbarkuan në zyrat e Arbër Abazit, mesazhi ishte i qartë. Abazi nuk është thjesht një biznesmen me fat që fiton lotet e Unazës së Madhe (si Loti 7 me vlerë miliona euro). Ai është një personazh me lidhje organike me kupolën e qeverisë: bashkëjeton me vajzën e tezes së zv.kryeministres Belinda Balluku.
Ky pozicion e shndërron atë në një faktor kyç. Sipas dyshimeve, kjo afëri familjare shërbente si garanci që kompanitë e lidhura me të, si "Alko-Impex", të ishin fituese të paracaktuara. Por roli i tij nuk mbaron te rrugët; ai rezulton të jetë dhe administrator i interesave të përbashkëta me një tjetër emër që vjen nga Kosova, Imer Ademin.
![]()
Për publikun, emri i Imer Ademit apo djalit të tij, Valon Ademit, ishte pothuajse i panjohur deri kur nisi bllokimi i Aeroportit të Vlorës. Valon Ademi, me një pjesëmarrje simbolike prej vetëm 2% në konsorciumin e aeroportit, ka arritur të bëjë atë që asnjë forcë madhore nuk e bëri dot: të ndalojë projektin.
Pretendimi i tij është absurd në terma biznesi: ai kërkon që aksionet e tij të rriten nga 2% në 49%. Si mundet një aksioner kaq i vogël të ketë fuqinë të vërë në lëvizje gjykata dhe të bllokojë miliarderin Behgjet Pacolli? Përgjigjja është lidhja me Arbër Abazin dhe, rrjedhimisht, me Belinda Ballukun. Duke qenë se babai i Valonit (Imeri) dhe Arbër Abazi janë ortakë në biznese të tjera, bllokimi i aeroportit shihet si një "gjobë" e strukturuar ose një presion i hapur për të gllabëruar gjysmën e investimit pa nxjerrë asnjë qindarkë nga xhepi.
![]()

Valon Ademi
Ajo që e bën këtë skemë vërtet makabre është angazhimi i hallkave të shtetit. Skandali i gjyqtares Marjana Shegani, e cila guxoi të rrëzonte një vendim të Gjykatës së Apelit nga zyra e saj në Shkallën e Parë, flet për një siguri "nga lart". Askush nuk mund ta shkelë hierarkinë e drejtësisë kaq hapur nëse nuk ka garancinë e zv.kryeministres.
Ndërkohë, makineria mediatike pranë qeverisë ka nisur një fushatë linçimi ndaj investitorit kryesor, duke mbrojtur "të drejtat" e familjes Ademi. Ky sinkronizim mes gjykatësve, mediave dhe zyrës së Ballukut tregon se Aeroporti i Vlorës është marrë peng nga një konglomerat interesash që shtrihet nga Prishtina në Tiranë.
Sot, Aeroporti i Vlorës nuk po vuan nga mungesa e vullnetit të investitorëve, por nga etja e një rrethi të ngushtë sekserësh që kërkojnë pjesën e tyre në çdo punë publike. Ndërsa SPAK heton rrobat e Arbër Abazit për korrupsion rrugësh, pista e vërtetë të çon te kontrolli i ajrit. Lotët e dëshpërimit të biznesmenëve që duan të investojnë, si Behgjet Pacolli, janë vetëm dëshmia e fundit se në këtë vend, nëse nuk je pjesë e "fisit", nuk mund të ndërtosh asnjë gur.
![]()