Në Shqipëri, duket se të qenit nën shënjestrën e SPAK-ut nuk është pengesë, por një "rekomandim" për të vazhduar marrjen e parave publike. Kompania "Consulting & Management Albania", e cila ndodhet në qendër të dosjes përvëluese që çoi për gjykim Benet Becin, ka arritur të sigurojë një tjetër kontratë të majme, këtë herë nga Albcontrol.
Sipas dokumenteve zyrtare në Agjencinë e Prokurimit Publik, kompania e zotëruar nga Ervis Myftari është shpallur fituese për trajnimin e stafit të Albcontrol në raste emergjencash. Me një ofertë prej rreth 700 mijë eurosh (69.5 milionë lekë), ajo mposhti operatorin tjetër në garë, duke konfirmuar lidhjen e saj të fortë me këtë institucion, nga i cili ka marrë vazhdimisht tendera.
![]()
Emri i kësaj kompanie nuk është i panjohur për drejtësinë. Ajo u bë kryefjala e skandalit ku ish-drejtori i Rrugëve, Evis Berberi, i shkruante Benet Becit (asokohe drejtor i KESH) mesazhin kompromentues: “500 mijë euro për profesorët e Harvardit, 320 mijë euro për ne me dy klasë shkollë.”
Prokurorët e SPAK zbuluan se tenderi 850 mijë eurosh për sektorin energjetik u fitua pikërisht nga "Consulting & Management Albania", fiks siç ishte paracaktuar në komunikimet sekrete. Ndonëse Beci dhe gjashtë ish-zyrtarë të tjerë po gjykohen për shkelje të barazisë në tendera, kompania që shërbeu si "ura" e kalimit të këtyre parave, ka mbetur jashtë masave penalizuese.
Ndërsa procesi gjyqësor për skandalin e vjetër vijon, shteti shqiptar nuk ka parë asnjë pengesë ligjore apo morale që të vazhdojë t'i besojë kësaj kompanie qindra mijëra euro të tjera. Nëse për prokurorët SMS-ja e Berberit ishte prova e një ryshfeti të mundshëm, për Albcontrol, kompania e Ervis Myftarit mbetet zgjedhja ideale për të trajnuar stafin, duke dëshmuar se në botën e prokurimeve shqiptare, historia thjesht përsëritet.