Ministrja e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, është dekoruar zyrtarisht këtë të enjte me “Urdhrin e Princeshë Ollgës“ nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, gjatë vizitës së saj zyrtare në Kiev. Kjo dekoratë, e cila është një nga më të lartat e shtetit ukrainas, iu dorëzua ministres në një ceremoni në mes të kryeqytetit të përfshirë nga lufta.
“E pranoj këtë nderim me përulësi dhe me ndjenjën e thellë se ai nuk i përket vetëm një personi, por qëndrimit të Shqipërisë,” u shpreh Spiropali. Ajo theksoi se Ukraina sot nuk po mbron vetëm tokën e saj, por ndërgjegjen e të gjithë Europës, duke e cilësuar marrjen e kësaj dekorate si një përgjegjësi morale po aq sa një nder.
Gjatë nisjes së vizitës, ministrja u prit nga homologu i saj ukrainas, Andrii Sybiha, ku u mbajt një ceremoni nderimi pranë Murit të Kujtesës për të rënët. Spiropali rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë, duke deklaruar se kjo mbështetje nuk vjen nga protokolli, por nga bindja se liria nuk ruhet duke heshtur.
Ministri Sybiha falënderoi Spiropalin dhe qeverinë shqiptare për qëndrimet e tyre në krah të sakrificës së Ukrainës, duke theksuar se në kohë të tillë sfiduese, mbështetja e vendeve mike ka një vlerë të jashtëzakonshme.