“Jepini edhe një shans për të treguar vullnet të mirë”, vendet arabe bindën Trump të mos sulmojë Iranin

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 15.01.2026, 18:25

Arabia Saudite, Katari dhe Omani kanë ndërmarrë një përpjekje intensive diplomatike për të bindur presidentin amerikan Donald Trump të mos ndërmarrë një sulm ushtarak ndaj Iranit, nga frika e pasojave të rënda për të gjithë rajonin. Lajmi është konfirmuar nga një zyrtar i lartë saudit për agjencinë AFP.

Sipas tij, tre vendet e Gjirit zhvilluan një “përpjekje të gjatë dhe të tensionuar diplomatike në momentet e fundit” për ta bindur Trump-in t’i japë Iranit një shans për të treguar vullnet të mirë. Dialogu mes palëve, sipas të njëjtit burim, vijon ende.

Frika për një përshkallëzim ushtarak u rrit më 14 janar, kur një pjesë e personelit u largua nga një bazë e madhe ushtarake amerikane në Katar, ndërsa stafi i misioneve amerikane në Arabinë Saudite dhe Kuvajt u paralajmërua të tregonte kujdes të shtuar.

Shtetet e Bashkuara kishin paralajmëruar disa herë se mund të ndërhynin ndaj represionit të dhunshëm të autoriteteve iraniane kundër protestuesve, ndërsa Teherani kishte deklaruar se do të kundërpërgjigjej duke goditur objektiva ushtarake amerikane dhe anije në rajon. Në vendet e Gjirit ndodhen shumë baza dhe asete ushtarake amerikane.

Megjithatë, pas disa kërcënimeve, Trump ndryshoi qëndrim, duke deklaruar se kishte marrë garanci nga “burime shumë të rëndësishme nga pala tjetër” se Irani nuk do të ekzekutonte protestues.

Sipas zyrtarit saudit, qëllimi kryesor i ndërhyrjes së vendeve të Gjirit ishte “të shmangej një situatë e pakontrollueshme në rajon”.

“I thamë Uashingtonit se një sulm ndaj Iranit do të hapte rrugën për pasoja shumë të rënda dhe të paparashikueshme në gjithë rajonin”, ka shtuar ai.

Një tjetër zyrtar i Gjirit ka deklaruar se Irani është paralajmëruar se çdo sulm ndaj objekteve amerikane në Gjirin Persik do të kishte pasoja serioze për marrëdhëniet e tij me vendet e rajonit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit