Në rrjetet e tij sociale, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka publikuar sot një thirrje “urgjente” për të gjithë të rinjtë shqiptarë: vetëm 24 orë kohë për t’u bërë pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Një thirrje që për disa mund të tingëllojë normale, por për shumicën e qytetarëve ngjan më shumë me një skeç humori të zi. Sepse, përpara se të kërkosh ushtarë, duhet t’u tregosh njerëzve pse ia vlen të jesh i tillë.
Realiteti i ushtrisë shqiptare është larg çdo fjalimi patriotik në Facebook. Ushtarë pa uniforma dinjitoze, pa këpucë të përshtatshme, pa kushte minimale pune dhe me paga që mezi mbulojnë javën e parë të muajit. Një situatë që i ka detyruar shumë prej tyre të punojnë dy punë si roje në klubet e natës apo bodyguard i ndonjë 'famozi', duke u kthyer nga mbrojtës të atdheut në kampionë mbijetese.
Shteti shqiptar, që në rast rreziku ka vetëm një armë, ushtrinë, e trajton këtë armë si barrë, si shpenzim të panevojshëm, madje shpesh si objekt talljeje. Dhe sot, kur pasojat e këtij trajtimi kanë dalë në pah, ministri Vengu del në rrjete sociale dhe kërkon “vullnetarë”.
Akoma më tragjik është fati i komandove shqiptare. Të trajnuar me standarde të larta, por të paguar me rroga qesharake, shumë prej tyre kanë marrë rrugën e botës, duke u kthyer në mercenarë apo më keq akoma në vrasës me pagesë jasht vendi. Jo nga dëshira, por nga nevoja. Sepse shteti i tyre u ofroi lavdi në fjalime dhe varfëri në xhep.
Sot, me rroga minimale dhe kushte të papërshtatshme ministri i Mbrojtjes rezulton pa ushtri. Dhe në vend që të pranojë dështimin e politikave të ndjekura ndër vite, zgjedh zgjidhjen më të thjeshtë: një postim në rrjete sociale, një afat 24-orësh dhe logjikën “kap ça të kapësh”.
Ushtria nuk ndërtohet me statuse, as me afate ultimative. Ndërtohet me dinjitet, paga të ndershme, kushte pune dhe respekt. Pa këto, çdo thirrje mbetet vetëm një tjetër arsye për të qeshur, ose për të qarë.