Një banor denoncon për JOQ gjendjen alarmante në fshatin Lojmë, në komunën Zapod të Kukësit, ku prej gati dy javësh banorët janë të izoluar totalisht për shkak të shembjeve masive të rrugës nga rrëshqitjet e dheut dhe rrebeshet. Siç shihet edhe nga pamjet, segmenti rrugor është bërë i pakalueshëm, duke e kthyer zonën në një rrezik të përhershëm për jetën e banorëve.
Sipas denoncuesit, situata është tejet e rëndë, pasi nuk ka asnjë mundësi qarkullimi, as me mjete dhe as në këmbë. Në raste emergjente shëndetësore, banorët mbeten të braktisur, ndërsa frika është e madhe se një i sëmurë mund të humbasë jetën në shtëpi për shkak të mungesës së ndihmës. Izolimi i plotë ka paralizuar jetën normale të fshatit.
Banorët shprehen të revoltuar ndaj Bashkisë Kukës dhe kryetarit Albert Halilaj, të cilët, sipas tyre, nuk ka marrë asnjë masë konkrete. Ata kërkojnë reagim të menjëhershëm dhe ndërhyrje urgjente, duke theksuar se po trajtohen me neglizhencë dhe harresë totale nga institucionet përgjegjëse.