Rrëmbimi dhe zhdukja e Jan Prengës, SPAK kërkon burg përjetë për Altin Hajrin

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 15.01.2026, 14:54

Kanë kaluar tashmë 6 vite që nga rrëmbimi dhe zhdukja e Jan Prengës, dhe Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar burgim të përjetshëm për Altin Hajrin, të dyshuarin kryesor në këtë rast. Hajri po gjykohet në mungesë, pasi ndodhet ende në arrati.

Seanca e fundit është shtyrë pasi avokati i Hajrit ka kërkuar kohë për të përgatitur konkluzionet përfundimtare.

Altin Hajri, pronar i kompleksit “Golden” në Shijak, akuzohet si pjesëmarrës në grupin e strukturuar kriminal që kreu rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës, ngjarje e ndodhur më 17 janar 2020 në Kamëz. Ai përballet me akuza për rrëmbim ose mbajtje peng të personit, ku ka ndodhur vdekja, mbajtje pa leje të armëve luftarake, fshehje dhe asgjësim kufome, si dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Në lidhje me këtë ngjarje, SPAK ka ngritur akuza edhe ndaj Dritan Rexhepit, Gentjan Funiqit, Martin Bletës, Korado Kështenjës, Artan Doçajt, Aldo Majnishtës dhe Geraldo Martinit.

Pas rrëmbimit, kompleksi “Golden” u kthye në skenën kryesore të krimit. Pamjet filmike përdorur nga policia treguan praninë e trupit të viktimës në këtë vend, duke çuar në arrestimin e Leonard Hajrit, Bajram Hajrit, Festim Bexhdilit, Olsi Turjanit dhe Ardian Doçajt. Megjithatë, deri më tani, vetëm kopshtari i kompleksit, Festim Bexhdili, po vuan dënimin me burg.

Hetimet zbuluan se Dritan Rexhepi dhe Gentjan Funiqi, të dy me precedent penal në fushën e narkotikëve, kishin urdhëruar rrëmbimin e Jan Prengës në fund të dhjetorit 2019. Funiqi u arrestua në Spanjë me dokumente të falsifikuara dhe aktualisht ndodhet në pritje të vendimit për ekstradim drejt Shqipërisë, ku do të përballet me akuzat për zhdukjen e Prengës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit