Reshjet intensive të ditëve të fundit dhe dalja e ujërave nga shtrati kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në zonat bujqësore të qarkut të Lezhës. Sipërfaqe të mëdha toke janë përmbytur, duke dëmtuar rëndë prodhimin bujqësor, veçanërisht kulturat e jonxhës dhe grurit, që përbëjnë edhe pjesën më të madhe të humbjeve.
Sipas të dhënave paraprake nga verifikimet në terren, përmbytjet kanë prekur rreth 1700 hektarë tokë bujqësore. Rreth 60 për qind e sipërfaqes së dëmtuar i përket jonxhës, ndërsa gruri zë afro 35 për qind. Dëme janë konstatuar edhe në kultura të tjera si ullinjtë, lakrat dhe agrumet, megjithëse në përmasa më të kufizuara.
Ndikimi i përmbytjeve në blegtori dhe banesa raportohet të jetë më i vogël krahasuar me sektorin bujqësor. Procesi i evidentimit të dëmeve është drejt përfundimit dhe përfshin inspektime të detajuara në zonat më të prekura, ku vëmendja kryesore mbetet tek humbjet në prodhimin bujqësor dhe pasojat ekonomike për fermerët.