Prej tre ditësh vijojnë kërkimet intensive dhe hetimet për arratisjen e Altin Ndocit nga Spitali Rajonal i Durrësit. Forcat e policisë kanë ushtruar kontrolle në dhjetëra banesa në Tiranë dhe Durrës, si dhe në vendlindjen e tij në Pukë, ku Ndoci rezulton të ketë një banesë.
Sipas burimeve policore, automjeti i tij është konstatuar për herë të fundit në autostradën Durrës–Tiranë, në territorin e kryeqytetit, për t’u zhdukur më pas pa lënë gjurmë.
Si ndodhi arratisja Pamjet e publikuara tregojnë momentin kur 39-vjeçari, i veshur me rroba të zeza, shihet duke vrapuar në parkingun e pasëm të spitalit dhe duke u larguar me shpejtësi.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Altin Ndoci ishte shoqëruar për vizitë mjekësore në repartin infektiv të spitalit, i cili disponon edhe një pavijon sigurie për të dënuarit. Policët që e shoqëronin kanë deklaruar se, pasi përfundoi vizitat, Ndoci kërkoi të shkonte në tualet. Në momentin që i janë hequr prangat, ai ka shtyrë efektivët, është përleshur me ta dhe ka arritur të largohet me vrap.
Në përpjekje për ta neutralizuar, polici Fatjon Baci ka qëlluar me armë në ajër, por pa rezultat. Ndoci ka mundur të largohet, ndërsa në dalje të spitalit e priste një automjet tip “Audi A7”, me të cilin u largua.
Nga hetimet ka rezultuar se targat e automjetit të përdorur për arratisjen ishin denoncuar si të vjedhura pak ditë më parë.
Hetimet dhe dyshimet Autoritetet dyshojnë se arratisja është realizuar përmes një plani të mirëorganizuar dhe po vijojnë hetimet për identifikimin e personave që e kanë ndihmuar. Ende nuk dihet nëse Altin Ndoci ndodhet brenda territorit të Shqipërisë apo është larguar jashtë vendit.
Policia ka dyshime të forta se ai fshihet në Tiranë. Për këtë arsye janë kryer kontrolle në disa zona të kryeqytetit, si Yzberishti, Ndroqi, Astiri, Don Bosko dhe Selita. Ndoci disponon edhe një banesë në zonën e Yzberishtit, ndërsa familjarët e tij kanë deklaruar se nuk kanë dijeni për vendndodhjen e tij.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se automjeti i dyshuar ka lëvizur deri në Kavajë, ndërsa më pas humbet gjurmët. Kontrollet janë përqendruar në trekëndëshin Tiranë–Durrës–Elbasan, ndërkohë që edhe pikat kufitare janë vënë në gatishmëri për të parandaluar largimin e tij jashtë vendit.
Një plan i detajuar arratisjeje Hetimet tregojnë se personat që ndihmuan në arratisje kanë vepruar me kujdes të madh. Për të shmangur dyshimet, modeli i automjetit të cilit iu vodhën targat dhe makina e përdorur për arratisjen ishte i njëjtë, “Audi A7”.
Altin Ndoci konsiderohet nga autoritetet si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Ai u arrestua në vitin 2020 dhe mbahej në paraburgim në burgun e Durrësit. Fillimisht u akuzua për dy ngjarje të rënda kriminale me katër viktima, konkretisht për vrasjen e Anxhelo Avdiajt dhe Dorian Shkozës, si dhe të vëllezërve Viktor dhe Besmir Haxhia në Durrës.