Arratisja e Altin Ndocit nga Spitali Rajonal i Durrësit më 13 janar është tashmë një manual i hapur se si nuk funksionon shteti.
Një i paraburgosur me rrezikshmëri të lartë shoqërohet pa pranga, me dy policë në vend të katër, hyn në spital, qëllon efektivin dhe largohet qetësisht nga kati i tretë, sikur të ishte duke dalë për kafe. Pas arratisjes polici i goditur, i vetëm, me armën në një dorë dhe telefonin në dorën tjetër, del të kontrollojë sikur ka humbur delet, jo një kriminel.
Dy ditë më pas, sot më 15 janar, i arratisuri mbetet i padukshëm, ndërsa institucionet vazhdojnë të flasin për angazhim maksimal, një shprehje që në Shqipëri zakonisht përkthehet, nuk kemi asnjë ide ku është. Shkarkime të shumta, por pa dobi për të gjetur dhe kapur të rrezikshmin e arratisur. Me pak fjalë, show mediatik që përkthehet në asgjë konkretisht.
Drejtoria e Burgjeve, nën drejtimin e Klevis Qoses, garanton siguri vetëm në deklarata, ndërsa Policia e Shtetit, me në krye Ilir Prodën, duket se po luan lojën “ku u fsheh i arratisuri”. Ministria e Drejtësisë me drejtues Besfort Lamallari dhe Ministria e Brendshme me drejtuese Albana Koçiun, teorikisht përgjegjëse për këto struktura, shfaqen vetëm si dekor institucional, pa asnjë përgjegjësi reale.
Protokollet ekzistojnë, por vetëm për t’u shkelur, zinxhiri i sigurisë ekziston, por vetëm për t’u këputur në hallkën e parë. Kryeministrit? Ndodhet në Abu Dhabi mes sheikëve, ndonëse në Shqipëri siguria ka marrë fund. Asnjë reagim, asnjë shkarkim të më të lartëve të zinxhirit institucional që lejuan që një kriminel të arratisej në mes të ditës, në sy të shtetit.
Në fund, kemi një Altin Ndoci me rrezikshmëri të lartë që endet i lirë në vend, ose me e keqja dhe jashtë vendit dhe kemi një shtet që nuk arrin të ruajë një të paraburgosur në spital, por kërkon besim nga qytetarët. Një sistem drejtësie që funksionon si shfaqje teatrale dhe institucione që reagojnë vetëm pasi ndodh skandali.
Ironia e hidhur është se i vetmi që e ka bërë “punën siç duhet” është i arratisuri, ndërsa shteti, edhe këtë herë, ka dështuar me sukses.