Banorët e rrugës “Hoxha Caush”, në Mëzez, denoncojnë gjendjen tejet të rëndë të kësaj rruge, e cila prej vitesh është lënë në harresë totale nga institucionet përkatëse.
Pavarësisht kërkesave të shumta, peticioneve me firma të banorëve të depozituara ndër vite në Njësinë Administrative Kashar dhe në Bashkinë Tiranë, deri më sot nuk ka pasur asnjë reagim konkret. Sipas banorëve, asnjë përfaqësues i shtetit apo i bashkisë nuk ka ardhur as për ta parë nga afër gjendjen e rrugës.
Rruga “Hoxha Caush” është aktualisht e pashtruar, e mbushur me gropa të shumta, e dëmtuar në çdo segment dhe e rrezikshme si për këmbësorët ashtu edhe për automjetet. Në mungesë totale të investimeve publike, mirëmbajtja minimale bëhet nga vetë banorët, me mjetet dhe mundësitë e tyre, gjë që nuk është aspak normale për një zonë brenda territorit të Bashkisë Tiranë.
Banorët shprehen se Bashkia nuk ka bërë kurrë asnjë investim në këtë rrugë, pavarësisht se zona është e banuar. Kjo situatë është kthyer në një problem serioz për jetesën e përditshme, sidomos gjatë reshjeve të shiut, kur rruga bëhet pothuajse e pakalueshme.
Përmes këtij denoncimi publik, banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente, inspektim në terren dhe shtrimin e rrugës, ashtu siç u takon qytetarëve që paguajnë taksa dhe kërkojnë vetëm kushte minimale infrastrukturore.