Ambasada Amerikane në Tiranë ka sqaruar vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit për pezullimin e përkohshëm të lëshimit të vizave migratore për 75 vende, mes tyre edhe Shqipërinë. Sipas reagimit zyrtar, SHBA dhe ish-presidenti Donald Trump kanë theksuar se emigrantët nuk duhet të përbëjnë barrë financiare për shtetin amerikan. Megjithatë, ambasada nënvizon se procesi i aplikimit për viza vijon normalisht, edhe pse dokumentet nuk po lëshohen për momentin.
Në sqarimin e saj, Ambasada Amerikane rikujton se përdorimi korrekt i vizës është përgjegjësi e vetë aplikantëve. Me vizë vizitori B1/B2 lejohen aktivitete si turizmi, pushimet, blerjet, vizitat te miqtë ose të afërmit, takimet me bashkëpunëtorë biznesi, si dhe pjesëmarrja në konventa apo konferenca.
Ndërkohë, ambasada thekson se disa veprimtari janë të ndaluara rreptësisht me këtë lloj vize. Mes tyre përfshihen “turizmi i lindjes”, puna e paguar nga një punëdhënës amerikan, studimet për diploma ose kredite akademike, si dhe performancat e paguara. Autoritetet amerikane paralajmërojnë se shkelja e kushteve të vizës mund të sjellë pasoja serioze për udhëtimet e ardhshme drejt SHBA-së.