Shtetet e Bashkuara kanë ashpërsuar kriteret shëndetësore për dhënien e vizave emigruese, duke renditur sëmundjet kronike, obezitetin, problemet kardiake dhe çrregullimet e shëndetit mendor, përfshirë depresionin dhe ankthin, si faktorë të mundshëm për refuzimin e aplikimeve. Udhëzimet e reja janë publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Sipas autoriteteve amerikane, këto masa synojnë të parandalojnë hyrjen e aplikantëve që mund të përbëjnë një barrë financiare për sistemin shëndetësor dhe atë social të SHBA-së. Zyrtarët theksojnë se trajtimi i rasteve të tilla mund t’i kushtojë buxhetit shtetëror mijëra dollarë për individ, ndaj politika synon të mbrojë interesin e taksapaguesve amerikanë.
Masat prekin vetëm vizat emigruese, përfshirë Green Card-at, bashkimet familjare dhe ndryshimin e statusit nga vizë e përkohshme në rezidencë të përhershme. Vizat turistike, studentore dhe të tjera jo-emigruese nuk përfshihen në këtë vendim.
Kontrollet mjekësore kryhen nga klinika të autorizuara në SHBA ose nga mjekë të certifikuar pranë ambasadave dhe konsullatave amerikane jashtë vendit. Të njëjtat kritere zbatohen edhe për shtetasit e huaj që ndodhen aktualisht në SHBA dhe kërkojnë ndryshim statusi emigracioni.
Ekspertët paralajmërojnë se pezullimi i përkohshëm i përpunimit të vizave emigruese për rreth 75 vende, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, mund të bllokojë deri në 315 mijë emigrantë të ligjshëm brenda një viti. Pezullimi pritet të nisë më 21 janar.
Administrata e presidentit Donald Trump e cilëson këtë masë si pjesë të strategjisë për të kufizuar emigracionin dhe për të ulur shpenzimet publike. “Përpunimi i vizave emigruese nga këto vende do të pezullohet ndërsa rishikohen procedurat, me synimin për të parandaluar hyrjen e personave që mund të përfitojnë nga ndihmat sociale dhe programet publike,” thuhet në deklaratën zyrtare.
Ndërkohë, kërkesa për viza jo-emigruese pritet të rritet ndjeshëm në vitet në vijim, për shkak të Kupës së Botës 2026 dhe Lojërave Olimpike 2028, të cilat do të zhvillohen ose bashkë-organizohen nga Shtetet e Bashkuara.
Emigrantët që synojnë rezidencë të përhershme në SHBA i nënshtrohen gjithashtu ekzaminimeve mjekësore të detyrueshme, përfshirë kontrollin për sëmundje ngjitëse si tuberkulozi, deklarimin e historisë së përdorimit të drogës ose alkoolit, problemeve të shëndetit mendor dhe episodeve të dhunës, si dhe verifikimin e vaksinimeve të kërkuara.