Vetëm dy ditë më parë, redaksia e JOQ Albania publikoi një artikull lidhur me problematikën serioze të kafshëve endacake dhe atyre të lëna pa asnjë kontroll nga pronarët, të cilat qarkullojnë lirshëm në rrugët kryesore të qyteteve, duke u kthyer në burim real aksidentesh dhe rreziku për jetën e qytetarëve.
Së fundmi, në redaksinë e JOQ ka mbërritur një video shqetësuese, ku shihet një tufë kuajsh që lëvizin të lirë në qendër të qytetit të Shkodrës. Prania e tyre në mes të rrugëve urbane përbën një rrezik të drejtpërdrejtë për drejtuesit e mjeteve, këmbësorët, por edhe për vetë kafshët. Ende nuk dihet se kush është pronari i këtyre kuajve dhe për çfarë arsye ata lejohen të qarkullojnë pa asnjë kontroll institucional.
Kujtojmë se vetëm tre ditë më parë, një automjet përplasi dy kuaj në Shkodër, ku fatkeqësisht njëri prej tyre humbi jetën. Po ashtu, disa ditë më parë, një gomar u aksidentua nga një mjet dhe u la të vdiste në agoni. Vetëm pas publikimit të rastit nga JOQ, shoqatat animaliste u organizuan për t’i ardhur në ndihmë kafshës së gjorë, por fatkeqësisht ajo nuk arriti të mbijetojë.
Këto ngjarje të përsëritura dëshmojnë qartë një neglizhencë të rëndë institucionale. Bashkia e Shkodrës, e drejtuar nga Benet Beci, ka qenë shpesh në qendër të skandaleve, përfshirë edhe kryebashkiakun, i cili pak ditë më parë u mor i pandehur nga SPAK. Megjithatë, përballë një problemi që rrezikon drejtpërdrejt jetën e qytetarëve, reagimi i institucioneve mbetet inekzistent.
Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të redaksisë sonë për ndërhyrje urgjente, për ndëshkimin e pronarëve dhe për veprim konkret nga policia dhe strukturat përgjegjëse, situata jo vetëm që nuk është përmirësuar, por duket se është sfiduar hapur. Pronarët e kuajve vazhdojnë t’i lënë kafshët të lira, ndërsa institucionet mbyllin sytë.
Sa aksidente të tjera duhet të ndodhin? Sa jetë njerëzish apo kafshësh duhet të humbasin që Bashkia e Shkodrës dhe strukturat ligjzbatuese të reagojnë? Heshtja dhe mosveprimi janë tashmë bashkëfajësi.