“Ishin 5 makina të parkuara gabim dhe u gjobit vetëm e imja”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 15.01.2026, 00:13

Një qytetar nga Erseka i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania, duke denoncuar atë që e cilëson si trajtim të pabarabartë nga ana e Policisë Rrugore gjatë vendosjes së gjobave për parkim të gabuar.

Sipas mesazhit të dërguar në redaksi, qytetari shprehet se gjoba i është vendosur vetëm automjetit të tij, ndonëse, sipas tij, në të njëjtën zonë ndodheshin edhe katër mjete të tjera të parkuara në të njëjtën mënyrë dhe në shkelje të rregullave.

Ai pretendon se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të mërkure rreth orës 23:00, në një moment kur qarkullimi i automjeteve dhe këmbësorëve ka qenë minimal. Sipas tij, raste të tilla janë përsëritur edhe herë të tjera, duke krijuar bindjen se po ndëshkohet në mënyrë selektive.

Qytetari shpreh gjithashtu shqetësimin për situatën në qytetin e Ersekës, duke theksuar se bëhet fjalë për një zonë me pak banorë dhe shumë pak mjete në qarkullim, ndërsa gjobat, sipas tij, po rëndojnë edhe më shumë jetën e përditshme të qytetarëve që kanë zgjedhur të jetojnë aty.

Në mesazhin e tij, ai kërkon që rasti të shërbejë për reflektim dhe trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët.

JOQ Albania mbetet e hapur për çdo reagim apo sqarim nga ana e Policisë së Shtetit lidhur me këtë pretendim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit